13:14 / E Enjte, 26 Prill 2018 / indeksADMonline

Përfaqësuesi i KE kërkon sqarime për numrin e madh të zëvendësministrave

Grupi i Veçantë për Reformën e Administratës Publike (GVRAP) ka mbajtur mbledhjen e radhës ku u vu në pah rëndësia e vullnetit politik në rrugën e reformave shtetërore.

Derisa Komisioni Evropian kërkoi sqarime lidhur me numrin e madh të zëvendësministrave në Qeverinë e Kosovës.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se ashtu siç është paraparë në Strategjinë për Modernizimin e Administratës Publike 2015 – 2020, Ministria e Administratës Publike në tetor të vitit 2017 ka filluar procesin e rishikimit të Planit të Veprimit për zbatimin e kësaj Strategjie

Ai ka përmendur edhe zgjedhjet me të cilat u përshkrua viti i kaluar, me ç’rast tha se përkundër kësaj, është arritur progres konkret në kuadër të të gjitha konkluzioneve të takimit të fundit të Grupit, që është mbajtur më 18 maj të vitit të kaluar.

“Modernizimi i administratës publike në Kosovë, transformimi dhe avancimi i saj, është një investim në demokraci dhe ekonomi, në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët tanë dhe në afrimin e shtetit tonë më pranë Bashkimit Evropian, që është interesi më i lartë shtetëror i yni”, u shpreh ai.

Ndërsa David Cullen nga Komisioni Evropian ftoi për një zotim të përbashkët të të gjitha palëve për të çuar përpara reformat në administratën publike.

“I kemi disa pyetje serioze të cilat do t’i adresojmë, sa i përket masave sa ndikojnë, dhe objektivin e një administrate të përgjegjshme dhe kompetente. Në raport kemi vërejtur një trend në rritje të zëvendësministrave të cilët në mandatin e kaluar ishin 45, ndërsa tash janë rreth 80. Duam të dimë se si ky numër i lartë i zëvendësministrave siguron efikasitetin. Për këtë do të japim edhe rekomandimet. Ka pasur një numër të procedurave të emërimeve, dhe emërimet në administratat publike janë çështje shumë e rëndësishme”, tha ai.

Në emër të Qeverisë të Kosovës u përgjigj koordinatori për Reformat Shtetërore Besnik Tahiri, i cili tha se janë të vetëdijshëm për numrin e madh të zëvendësministrave, porse bëri të ditur se do të ketë një takim të kryeministrit me ta, deri sa siguroi se ministri Hamza është njohës shumë i mirë i çështjeve mikrofinanciare.

Gjithashtu, Tahiri siguroi Cullen-in se nuk mungon vullneti politik në rrugën drejt reformës në administratën e shtetit.