11:59 / E Martë, 18 Qershor 2019 / indeksADMonline

Përleshje, kryetarë pa kundër kandidatë, e zgjedhje brendapartiake jo demokratike, çfarë thonë analistët

Zgjedhjet e brendshme të partive politike në Kosovë, shpeshherë janë përcjellë me probleme e incidente të shumta.

Kohëve të fundit jemi dëshmitar i përleshjeve, edhe me karrige, të anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe të zgjedhjes së kryetarit të PDK-së me përqindje absolute të votave.

Indeksonline ka biseduar me dy njohës të zhvillimeve në vend për të parë se çfarë do të thonë zgjedhje të tilla brendapartiake për procesin e subjekteve politike në vend.

Për Fisnik Halimin, problemet e tilla janë si pasojë e mungesës së organizimit të zgjedhjeve brenda partive, si dhe e mungesës së emancipimit si shoqëri.

“Partitë politike në Kosovë kanë nevojë për emancipim demokratik, por emancipimi i partive politike nuk mund të ndodhë realisht pa një emancipim të përgjithshëm shoqëror. Në këto rrethana sociale në të cilat zhvillohet jeta në Kosove gjasat janë të vogla që situata të ndryshoj shpejt. Pasi që për të arritur emancipim të duhur duhet të ndryshoj në tërësi pasqyra sociale ku një zhvillim ekonomik do te duhej të paraprinte në procesin e pjekjes së demokracisë në Kosovë dhe emancipimit  partive politike”.

Kurse Valmir Ismaili, nga DemokraciaPlus beson se partive politike ju mungon demokracia e brendshme dhe se zgjedhjet brenda tyre bëhen sa për të përmbushur formalitete ligjore.

“Demokracia e brendshme është thelbësore në zhvillimin e një subjekti politik. Fatkeqësisht, në praktikë, kjo u mungon të gjitha subjekteve politike në Kosovë. Zgjedhjet që aktualisht mbahen në subjekte politike janë më tepër për të përmbushur formalitetet ligjore që u kërkohen atyre. Duke parë edhe angazhimin e subjekteve politike që të ndryshojnë në aspekt negativ edhe ligjin për financimin e subjekteve politike, atëherë mbetet pak shpresë se subjektet politike në Kosovë do të reformohen në një të ardhme të afërt”.

Ismaili: Të jesh anëtar në parti, të jep më shumë mundësi për punësim, andaj nuk zgjidhet mjeti për arritjen e qëllimit

Image result for fluturon karriga ne zgjedhjet ne LDK

Që kur se kanë filluar, zgjedhjet në LDK janë përcjellë me akuza, fjalor të ashpër e deri tek përleshja mes delegatëve në degë e nëndegë të ndryshme.

Halimi për Indeksonline ka renditur arsyet se pse një situatë e tillë është duke e përcjellë procesin e brendshëm zgjedhor të LDK-së.

“Zgjedhjet e brendshme të LDK-së dhe mënyra se si ato po zhvillohen tregojnë qartë për dy gjëra kryesore. E para se LDK ka hyrë në një proces zgjedhor pa parapërgatitjet e domosdoshme për një proces të tillë. Ku ka munguar informacioni i saktë prej terrenit për gjendjen reale në secilën degë ku para llogaritë janë bërë në formë anekdotike, pra duke marrë informacion prej burimeve të caktuara që nuk e kanë shpërfaqe gjendjen reale në terren. Pastaj ky proces tregon edhe për atë se sa e brishtë është demokracia në Kosovë e cila në asnjë mënyrë nuk po mundet t’i marrë edhe epitetet liberale, epitete këto që i karakterizojnë demokracitë e zhvilluara. Demokracia në Kosovë për fat të keq edhe më tej shumë më shumë i ngjason demokracive lindore se atyre perëndimore. Skenat që po i shohim sot nëpër kuvendet respektive të nëndegëve dhe degëve të LDK-së janë pasojë e asaj që parapërgatitjet e këtyre zgjedhjeve kanë qenë katastrofalisht të këqija”.

E Ismaili ka një arsye interesante e për të cilën beson se zgjedhjet në subjekte partiake përcjellën me probleme të tilla.

Norma se të jesh pjesë e një partie politike të ofron mundësi më të madhe për punësim në institucionet publike, thotë Valmir Ismaili, ka ndikuar që individë të caktuar të mos zgjedhin mjete për të arritur qëllimin e të qenurit në struktura udhëheqëse të një partie, e në këtë rast e LDK-së.

“Kjo më shumë vije si rezultat i një organizimi të dobët të këtij subjekti në administrim të procesit zgjedhor. Për më tepër, për shkak se është bërë pothuajse normë që të qenurit anëtarë në ndonjë subjekt politik, të jep më shumë mundësi për punësim në ndonjë institucion publik, dhe duke ja shtuar kësaj gjasat që LDK do të jetë në pushtet pas zgjedhjeve të ardhshme, ka ndikuar që të shtohen apetitet e individëve të caktuar që mos të zgjedhin mjetet për të arritur këtë qëllim”, thekson Ismaili.

Problemet në degë e nëndegë do ndikojnë edhe në zgjedhjen e kryetarit/es të LDK-së

Situata e krijuar në degë e nëndegë, sipas Fisnik Halimit e Valmir Ismailit, do të ndikojë edhe në zgjedhjet në Konventën Qendrore të LDK-së, ku do të zgjidhët kryetari/kryetarja e kësaj partie.

Valmir Ismaili nga D+, thotë se përveç në procesin zgjedhor brenda LDK-së, kjo situatë mund të ndikojë edhe në zgjedhjet e ardhshme.

“Nëse Kryesia e LDK-së merr masat e duhura për të shmangur situata të tilla të ngjashme atëherë ajo se çfarë ka ndodhur deri më tani nuk mund të dëmtoj procesin zgjedhor në LDK. Megjithatë, këto situata mund të ndikojnë që anëtarë të ndershëm të këtij subjekti politik do të hezitojnë që të marrin pjesë në procese zgjedhore të dhunshme. Për më tepër, nëse vazhdojnë të kenë probleme të tilla në proces zgjedhor, kjo mund të ndikoi negativisht edhe në performancën e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme nacionale/lokale kurdo që mbahen ato”, shtoi Ismaili.

“Zgjedhjet në LDK do të kulmojnë me pakënaqësi të reja të cilat domosdo do ta dëmtojnë këtë subjekt politik në përkrahje elektorale. Pavarësisht asaj që, sipas mendimit tim vet kuvendi zgjedhor në LDK nuk do të mund të ketë incidente të këtilla çfarë po shohim sot nëpër degë. Në këtë mënyrë cilido qoftë fituesi i zgjedhjeve do të trashëgoj situatë të rëndë për menaxhim në strukturat e reja të partisë”, thotë në anën tjetër, Fisnik Halimi.

Garat formale, pa kundërkandidatë si në PDK e VV, të mos mbahen fare, krejt ndryshe ndodh në demokracitë e zhvilluara

Me asnjë kundër kandidat dhe me numër absolut të votave, ditë më parë, si i pari i Partisë Demokratike të Kosovës, është rizgjedhur Kadri Veseli.

Një rast i tillë, ka ndodhur edhe në Lëvizjen Vetëvendosje vitin e kaluar, ku me 98.82% të votave, dhe pas asnjë kundër kandidat, Albin Kurti ishte zgjedhur kryetar i kësaj partie.

E një proces i tillë, i paraqitur si demokratik, sipas njohësve të zhvillimeve në vend, tregon për nivelin e subjekteve politike në Kosovë.

Për Ismailin, ajo çfarë ndodhë brenda partive politike është një proces i mbushur me formalitete dhe e kundërta e asaj që ndodh në vendet perëndimore, ku brenda partive bëhet garë mes disa platformave e cila varësisht nga fitorja në parti shndërrohet në platformë shtetërore.

“Kjo tregon nivelin e zhvillimit të subjekteve politike në Kosovë. Në demokracitë e zhvilluara kryesisht ka një garë në mes të disa platformave brenda një subjekti politik, dhe pastaj varësisht se cila platformë fiton shumicën e votave të anëtarëve, atëherë të gjithë anëtarët angazhohen që ajo platformë të shndërrohet në platformë zyrtare shtetërore nëse fitohen zgjedhjet. Këtu te ne është krejtësisht e kundërta, ose nuk ka fare kundër kandidat ose nëse ka të tillë, atëherë me të përfunduar procesi zgjedhor ndodhë ndarja ose largimi i humbësit”, theksoi nga DemokraciaPlus, Valmir Ismaili.

Në raste të tilla, sipas Halimit, do të duhej që të mos ketë fare garë formale, pasi ato situata, thotë ai, janë farsë që nuk e ndihmojnë demokratizimin.

“Sa i përket zgjedhjes së  Veselit dhe Kurtit pa kundër kandidatë kjo flet për atë që thamë edhe më herët se ky është niveli pjekurisë së demokracisë në Kosovë dhe vetëm koha dhe emancipimi i duhur do të mund të ndryshoj këtë situatë. Personalisht mendoj se është shumë më e pranueshme që të respektohet gjendja reale, ku aty një person nuk mund te sfidohet realisht nga ndonjë pretendent më i mirë mos të ketë garë formale sepse ato situata janë thjeshtë farse që nuk e ndihmojnë demokratizimin e shoqërisë në Kosovë”.

Ndryshe, fajin për problemet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovë, kryetari aktual i saj Isa Mustafa, ua ka hedhur mediave dhe partive të tjera.

“Është e natyrës së mediave publike e private që të prodhojnë lajme, edhe me disa sjellje të papranueshme të disa individëve nga nëndegët e LDK-së. Por s’mund ta kuptoj ngarendjen e këtyre individëve që të prodhojnë lajme me budallallëqet e tyre dhe të njerëzve nga partitë e tjera që prishin tubimet e LDK-së”, ka shkruar Mustafa ditë më parë në Facebook. /Indeksonline/