75 Mall Live Search
11:00 / E Hënë, 03 Shtator 2018 / indeksADMonline

Përpjekja e parë për ta rrëzuar idenë e Thaçit

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që nesër, 4 shtator, me fillim nga ora 10:00 të mbahet seanca e jashtëzakonshme, ku do të mbahet debati parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për përfshirjen e “shkëmbimit të territorit” apo “korrigjimin e kufijve” në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka qenë i shkurtër në deklarimin e tij.

Ai përveç që ka bërë të ditur se seanca do të mbahet nesër, nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve.

“Proceduralisht kemi vepruar në bazë të një kërkese të deputetëve do ta kemi seancën e jashtëzakonshme nesër, me një pikë të rendit të ditës. Sa i përket komenteve politike do t’i themi nesër ato për arsye se kemi seancën do të jetë gjithë ditën”, tha Veseli.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se pret që nesër rezoluta e propozuar nga tri grupet parlamentare të marrë mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare.

Sipas tij, mbështetje e kësaj rezolute është sinjal i qartë për presidentin e vendit që të ndalet me veprimet e tij antikushtetuese, siç ka thënë Hoti për ta rrënuar shtetin e Kosovës.

“Unë pres që mbështetja nesër për këtë rezolutë të planifikuar për t’u aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbështetet nga të gjitha grupet parlamentare, pa përjashtim të opozitës apo koalicionit qeverisës. Pasi që është në të mirë të qytetarëve të vendit, është informatë e mirë dhe qëndrim i mirë që ju dërgohet miqve tanë ndërkombëtar që na kanë ndihmuar të vijnë deri në këtë ditë, për vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur përmes deputetëve, përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Kosovës. Mbi të gjitha, është sinjal i qartë për presidentin e vendit, ai duhet të ndalet me veprimet e tij antikushtetuese për të rrënuar shtetin e Kosovës”, ka thënë Hoti.

Sa i përket asaj që kreu i Kuvendit dhe kryetari i PDK-sëm Kadri Veseli, thirrjen e kësaj seance e kishte quajtur absurde, për shefin e grupit parlamentar të LDK-së, absurd është veprimi i presidentit tash e një kohë për të diskutuar tërësinë territoriale të Kosovës.

Madje, ai thotë se PDK-së i ka humbur rruga në oborr.

“Mendoj që PDK-së i ka humbur rruga në oborr. Absurde është veprimi i Presidentit tash e një kohë për të diskutuar tërësinë territoriale të Kosovës. I ftoj ata që të bëhen bashkë me deputetët tjerë për ta aprovuar këtë rezolutë në Kuvendin e Kosovës dhe për të mbyllur një herë e përgjithmonë këto biseda. Ne duhet të punojmë gjithë në konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe barra përgjegjësia dhe dëmi që i është bërë shtetit të Kosovës tash e sa muaj nga Presidenti bie gjithashtu edhe mbi PDK, sepse nuk ka qenë fare e angazhuar në ndalimin e këtyre diskurseve politike kundër shtetit të Kosovës”, është shprehur ai.

Hoti ka thënë se për aq sa ka dëgjuar publikisht në qëndrimet publike të Nismës dhe AAK-së kanë deklaruar që do ta mbështetin rezolutën.

Mbështetje për rezolutën e partive opozitare pret edhe Dardan Sejdiu nga Partia Socialdemokrate. Ai ka thënë se Kosova është Republikë parlamentare dhe dialogu duhet të kthehet në Kuvend.

Sejdiu është shprehur se problematike është presidenti i vendit, që sipas tij, jashtë kompetencave të tij po vazhdon me aventura sa i përket organizimit të kësaj republike.

“Besoj që rezoluta e cila do të prezantohet nesër do të ketë mjaftueshëm vota që të kaloj dhe është tepër me rëndësi që Kuvendit t’ia kthejmë dialogun. Besoj që kjo është një hap i mirë përpara, por besoj gjithashtu që duhet të bëjmë edhe hapa të tjerë si opozitë që të sigurohemi që dialogu të kthehet në Kuvend. Ne si Parti Socialdemokrate e kemi thënë që nga fillimi i muajit gusht që dialogu duhet të kthehet në Kuvend dhe kjo ndodh duke ndërtuar një platformë Kuvendi, platformë kjo e cila votohet me 2/3 të votave. Më pastaj, i njëjti Kuvend me 2/3 e votave duhet të mandatoj një ekip negociator apo person i cili do të zbatojë këtë platformë në dialog. Duhet të formohet një komision i Kuvendit në mënyrë që të mbikëqyret ky dialog dhe në fund fare përsëri të vije në Kuvend pa ndonjë marrëveshje e të votohet me 2/3. Çdo lloj diskutimi me palë të tjera jashtë Kuvendit pa mandat të Kuve ndit, pa mbikëqyrje të Kuvendit është në shpërputhje edhe me frymën që e ka Kushtetuta e kësaj Republike”, tha ai.