11:01 / E Hënë, 31 Janar 2022 / MSH

Përvjetori i pavdekësisë

Shkruan: Selim Haziri- Bekrija

Ishte 31.01.97, ora 16:05 kur UÇK dhe populli humbën fizikisht kryetrimin, komandantin Zahir Pajaziti me strategun dhe njeriun më të afërt të tij Hakif Zejnullahu dhe syshqiponjën Edmond Hoxha.

Në rrugën e tyre për luftën për liri ranë në fushën e nderit për të hyrë në histori si figurat më emblematike të UÇK-së.

Sot pas 25 viteve kam të freskët takimin e fundit që kisha me ta.

Vitet ikën por kujtimet mbesin fortë të ngulitura në mendjen dhe shpirtin tim.

Po pse ende edhe sot rënia e tyre mbeti enigmë sikur shume enigma tjera ndaj patriotëve e luftëtarëve për liri!

Pse heshtin institucionet dhe drejtësia për zbardhjen e rënies në pritë të Zahirit, Hakifit e Edmondit.

Kush ishte ai person apo ata persona që dhanë informata te UDB?

Deri në fillim të dhjetorit 1996 Zahiri me bashkëluftëtarët e vetë ishte bërë tmerri i Serbisë.

Ai së bashku me Heroin Ilir Konushevci ishin Alfa & Omega në UÇK.

Ishin aksionistët më të përgatitur që kishte UÇK.

Ishin strategë të vërtetë të luftës guerile për ta goditur në çdo kohë e çdo rrethanë armikun.

Të gjitha vendimet dhe strategjitë e aksioneve i merrnin në rreth të ngushtë për shkak të konspiracionit të thellë.

Ishim në numër shumë të vogël si luftëtar të lirisë, karshi armikut i cili bënte represion të vazhdueshëm duke vrarë, plagosur, arrestuar dhe dhunë e terror sistematik e psikologjik ndaj popullit të Kosovës.

Serbia kishte angazhuar mbi 45 mijë forca policore e ushtarake në Kosovë.

Kishte sjellë inspektorë nga Beogradi për të zbuluar UÇK dhe udhëheqësit kryesor të saj.

Nuk ia arritën dot të zbulonin strategjinë dhe aksionet e shumta ndaj inspektorëve e policisë që ndërmerrte UÇK e sidomos aksionet në Prishtinë e Podujevë!

Por! Zgjerimi i radhëve dhe kontaktet për të gjetur përkrahje e mbështetje sidomos në logjistikë ishin të domosdoshme.

Andaj! Zahiri vendosi të shkonte në Shqipëri për të gjetur mundësi nga veprimtarë por edhe oficerë të ushtrisë shqiptare për të mundësuar futjen e armatimit në Kosovë.

Pas shume kontakteve në fund të dhjetorit 1996, Qerim Kelmendi – Dema kishte aranzhuar takimin e parë të Zahirit me njërin nga veprimtarët e LPK në Zvicër, Azem Sylen- Daja, që njëherit ishte i emëruar nga shokët e tij si komandant i ShP te UÇK!?

Andaj! Si ishte e mundur të emëroj shtab të ushtrisë dikush e të mos veprojë drejtpërdrejtë në Kosovë.

Aje Shtab nuk kishte përzgjedhur e emëruar ushtarët e UÇK, sidomos të Llapit.

Sikur që Zahiri me bashkëluftëtar nuk kishte zgjedhur si përfaqësues të shtabit ata qe ishin emëruar nga Zvicra e Gjermania.

Këtë më së miri e vërteton kur këta persona lëshojnë komunikatën e ShP të UÇK me rastin e rënies të Zahirit, Hakifit e Edmondit.

Ku nuk kanë pasur njohuri se kush ishte dhe roli i Zahirit në luftën për liri.

Ne këtë komunikatë thuhet se sot ranë 3 pjesëtarët e parë të UÇK!

Ndërsa në anën tjetër Serbia deklaron se sot e vramë kryeterroristin Zahir Pajaziti. Natyrisht se serbët nuk do të deklaroheshin ndryshe…!

Në këtë kontekst nuk dua që të them se ata nuk janë kontributdhënës në zhvillimet e kohës por e vërteta është e vërtetë dhe duhet që më në fund të tregohet nga protagonistet e kohës dhe ata luftëtarë te paktë që janë gjallë dhe ishin shumë të afërt, dhe që ishin hija e Zahirit, Ilirit e Hakifit.

Kush e përcolli rrugës komandatin për Shqipëri, ku qëndroi dhe takimet e tij atje, jemi ne bashkëluftëtarët e afërt që ishim me ta.

Si u nda i zhgënjyer nga takimi me Azem Sylën por edhe zhgënjimet tjera për t’i forcuar radhët e UÇK e sidomos në logjistikë ishin të shumta.

Kur dhe pse mori vendim të kthehet para kohës së planifikuar në Kosovë dhe rrugëtimin e tij dhe kush e priti në fshatin Shishman të Gjakovës që ishte baze e UÇK janë bashkëluftëtarët e afërt dhe të besueshmit e komandantit.

Si u konsultua dhe dha urdhër për aksionet në Kosovë sa ishte Shqipëri ishte pikërisht Ilir Konushevci dhe bashkëluftëtarët e afërt të tyre.

Andaj! E vërteta duhet të paraqitet ashtu si ishte madhështore dhe reale në kohë dhe rrethanat e kohës.

Edhe në ditën dhe rrugëtimin e fundit të tyre në luftën për liri ishin pikërisht njerëzit më të afërt të komandantit që u ndanë për herën e fundit në Prishtinë.

Kjo do të thotë shumë! Kjo paraqet të vërtetën e kohës. Kjo tregon se të tjerët që flasin e kanë më të ndëgjura apo të trilluara sikur që kanë trilluar për shumë ngjarje të UÇK duke mos qenë fare pjesëmarrës direkt i vendimeve dhe aksioneve të UÇK, sidomos deri më 31.01 97 .

Lufta për liri ishte obligim dhe e detyruar nga okupimi serb.

Andaj! Në përpjekjet e shumë brezave për të kundërshtuar dhe në forma të ndryshme për ta luftuar armikun ishte e arritura me sublime me krijimin e grupeve guerile dhe aksionet profesionale të kryera në terren.

Guximi, sakrifica, vendosmëria dhe arti ushtarak e dallonin Zahirin nga ne të tjerët.

Sinqeriteti, besnikëria, thjeshtësia e tij e bënte te veçantë dhe madhore në rrugëtimin drejt lirisë.

Veprat dhe rrugëtimi i Zahirit me bashkëluftëtarët ishte dhe do të mbetet udhërrëfim i shumë e shumë vajzave e djemve që vazhduan me besnikëri idealin për liri, duke përkujtuar brez pas brezi figurën e Zahirit, Hakifit e Edmondit e shumë e shumë dëshmorëve e heronjve të tjerë.

Mbetet në duart e institucioneve të drejtësisë dhe shtetit të Kosovës të zbardhin të vërtetën e rënies në pritë të këtyre udhëheqësve të UÇK, sikur që është obligim moral e kombëtar të thuhet dhe shkruhet e vërteta për historinë.

Lavdi dhe përkulem me respekt para juve.

Bashkëluftëtari, Selim Haziri- Bekrija