20:42 / E Mërkurë, 16 Janar 2019 / indeksADMonline

Peticioni i Bahtirit për bashkim të Mitrovicës nuk pritet të jap efekt

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri sot ia ka dorëzuar një peticion Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për bashkimin e qytetit që ai drejton.

Ky peticion përmban 16,594 nënshkrime të qytetarëve dhe në thelb ka vullnetin e mitrovicasve për bashkimin e qytetit.

Bahtiri ka theksuar se qytetarët e Mitrovicës janë lodhur duke pritur institucionet vendore dhe ndërkombëtare që të marrin ndonjë veprim në lidhje me këtë çështje.

Por, kjo iniciativë e ndërmarr nga i pari i Mitrovicës, nga analistët po konsiderohet si veprim vetëm për konsum politik.

Sipas tyre, kjo nuk do të sjell ndonjë rezultat konkret, pasi që Bahtirit nuk i mjafton fuqia që të arrijnë një gjë të tillë.

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë për “Indeksonline” se ky peticion është për konsum politik dhe nuk arrin që të ndryshojë gjendjen në terren.

“Është më shumë peticion për konsum politik, sesa që mund ta ndërrojë gjendjen në terren”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka shtuar se një gjë e tillë është vetëm në dorën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksander Vuçiq, të cilët janë të vetmit që mund të pajtohen për shkëmbin territoresh dhe Serbisë t’i jap komunat veriore.

“Mitrovica mund të bashkohet serish vetëm nëse Thaçi e Vuçiq pajtohen për shkëmbim territoresh dhe Serbisë i jepen tri komunat veriore. Përndryshe, peticionet e tilla janë vetëm lojë me qytetarët”, ka përfunduar Mushkolaj.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti tjetër, Nexhmedin Spahiu. Ai është shprehur se këto nënshkrime janë marr nga shokët dhe përkrahësit politik të Bahtirit.

“Ka të bëjë me relacionet publike të Agim Bahtrit, i cili i ka mbledh veç shoqërinë dhe çka ka pas vota edhe aq, nuk ka ndonjë punë tjetër”, ka thënë Spahiu.

Sipas tij, ky veprim i Bahtirit nuk pritet që të jap ndonjë efekt konkret ashtu siç po pretendon Kryetari i Mitrovicës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se ky peticion do të trajtohet me seriozitet nga ana e strukturave të Kuvendit.

“Ky nuk është provokim. Mitrovica është e mitrovicasve është e shqiptarëve e serbëve dhe e gjithë atyre që jetojnë në këtë qytet. Peticioni do të trajtohet me shumë seriozitet nga ana e strukturave të Kuvendit. E di që ke presion nga bashkëvendësit tanë, kjo është një Mitrovicë, do të jetë përjetë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Veseli./Indeksonline/