16:06 / E Diele, 29 Korrik 2018 / indeksADMonline

Pishina e Gërmisë me 25 mijë vizitorë më pak nga viti i kaluar

I bënë të gjitha përgatitjet për ta filluar sezonin e verës, por koha jo e mirë ndikoi në mbarëvajtjen e punës së tyre.

Bëhet fjalë për bizneset verore, në veçanti për pishinën e Gërmisë, e cila e ndjeu më së shumti mungesën e temperaturave të larta.Zyrtari për marketing nga kompania “Sport Marketing”, e cila e bën menaxhimin e pishinës, Emrush Hyseni tha se përkundër përgatitjeve e dëshirës së tyre për ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, faktori kohë ka ndikuar që këtë vit të ketë numër dukshëm më të vogël të vizitorëve.

Si në asnjë vit tjetër, Hyseni thekson se këtë vit pishina nuk ka funksionuar rreth 17 ditë për shkak të temperaturave e motit me shi.Hyseni si njëri ndër punëtorët më të vjetër të kompanisë, tha se ky ndryshim i madh i kohës dhe ndikimi i saj në numrin e vizitorëve po ndodhë për herë të parë.

Duke e krahasuar me vitin e kaluar, ai tha se kane rreth 25 mijë vizitorë më pak. Ndërsa, si mesatare për këto ditë sa kanë punuar është rreth 400 vizitorë në ditë, kurse, në vitet e kaluara kishin vizitorë deri në rreth 6 mijë në ditë.

Si edhe çdo vit tjetër pishina posedon ekipin mjekësor, stafin higjienik, stafin e notit, stafin e shpëtimtarëve dhe kursin e notit.Hyseni tregoi se këtë vit ka ndryshim në çmime.

Sipas tij, gjatë vikendit çmimet për të rritur do të jenë 3 euro, ndërsa, gjatë ditëve të punës nga 2 euro. Kurse, për fëmijët pagesa mbetet e njëjtë.Për kushtet që i ofron kjo pishinë, Hyseni tha se qytetarët janë shumë të kënaqur dhe se edhe ata kontribojnë në mirëmbajtjen e ambientit.KosovaPress ka tentuar të marrë deklarata edhe nga ata pak vizitorë që ishin në pishinë, megjithatë, ata nuk kanë dashur të flasin para kamerës. Megjithatë, thanë se pishina ofron kushte të mira, në veçanti për fëmijët.