18:57 / E Mërkurë, 30 Shtator 2020 / indeksADMonline

‘Pjatat fluturuese’ në zyret e veteranëve të UÇK-së, shteti hesht !

Personi me maskë – xhokeri në pikë të ditës i futi thasët me dosje në zyret e veteranëve të luftës. Në vend se ai të ndiqet penalisht për pengim të drejtësisë…, këmbët e arushës ua lanë Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt. Hysniu e Nasimi janë si Alfred Dreyfusi, viktima të procesit. Mbrojtësi i Haradinajt, në gjykatoren e Speciales në Hagë, tërhoqi vërejtjen se kjo gjykatë nuk ka jurisdiksion t‘i bëj gjyq klientit të tij, i cili nuk akuzohet për krime të luftës. Gjykatësit nuk hanë barë, ata ndajnë shapin nga sheqeri.

Nga Agim Muhaxheri

‘Pjatat fluturuese”, hyrja e tyre në zyret e veteranëve të UÇK-së, shkaktuan tërmetin në Prishtinë e Hagë. Ndërkaq, zotërinjtë e Beogradit i fërkojnë duart.

Krerët e OVL të UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, të paraburgosur – në Hagë, shkelën në gaca, pa e vrarë mendjen për pasojat e lojës së rrezikshme.

Shteti ynë – Kosova ishte në gjumë. Lejoi që OVL e UÇK-së të shndërrohet në magazinë, deponi të dosjeve…

Pse ?

Operacioni, bastisja në shoqatën e veteranëve zgjati 9 orë, nga policët e Dhomave të Specializuara që bartnin uniformat me mbishkrimin “SPO”.

Kjo flet se është prekur “materiali i ndieshëm” i Speciales dhe për këtë u aktivizua “ndërmarrja e masave ligjore” ndaj të pandehurve.

Thuhet se në “magazinën” e veteranëve të luftës në pikë të ditës nga personi me maskë u zbrazën më tepër se 11 mijë dosje të prokurorëve serbë dhe ato të Zyres së Prokurorisë së Specializuar.

Nëse materiali i ndieshëm është i kësaj Prokurorie, përse i mbyllën sytë ndaj atij që i solli dosjet, nuk e arrestuan, por u morën me Hysniun e Nasimin !

Detyrë e prokurorit është t‘i nxjerrë provat në gjykatore, siç e thonë rregullat e procedurës penale, jo me to të merren intrigantët !

Kryeministri Avdullah Hoti i kishte futur veshët në lesh, njësoj sikundër presidenti Hashim Thaçi, të cilët nuk dinin kush po hyn në lokalet e veteranëve të luftës ! Apo e dinin, por heshtën. Heshtja e tyre është imazh i keq për shtetin.

Kë e ruan AKI-ja dhe policia jonë ?

Në shtetet normale për këso budallallëqe kryeprokurorët, kryepolicët, ministrat japin dorëheqje – i çojnë në burg.

Mbeti enigma: Kush i solli dosjet serbe dhe ato me firmë të Speciales ?

Kush ishin regjisorët, skenaristët e lojës së rrezikshme ?

Përse Gucati e Haradinaj ranë në grackë ? E bënë këtë krye në vete apo ishin të cytur nga të tjerët ?

Tjetër kush e futi „bombën“ në zyrat e veteranëve, ndërkaq Hysniut e Nasimit ua lanë këmbët e arushës në dorë. Dhe ironia, i ndjekin për pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve dhe hakmarrje.

Ky Askushi, xhokeri – nxitësi që e shkakto pasojën rri në të terurur !

Zotërinj prokurorë ndërkombëtare, veprimi i juaj bie ndesh me parimet e drejtësisë dhe paraqet „contradictio in adjecto“ me ndjekjen penale.

Mbrojtësi i Haradinajt, i caktuar ex oficio, nuk e tha më kot se kjo Gjykatë, Specialja, nuk ka jurisdiksion t‘i bëj gjyq klientit të tij Nasim Haradinajt, ngase ky nuk akuzohet për krime të luftës.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë si Alfred Dreyfusi, viktima të procesit.

Gjykatësit nuk hanë barë, ata ndajnë shapin nga sheqeri, ndajnë drejtësinë.