22:21 / E Shtunë, 13 Tetor 2018 / indeksADMonline

Policët serbë s’pranojnë të punojnë me kosovarët, shtyhet hapja e pikës së re doganore në Merdarë

Pika e re kufitare në Merdare që lidh Kosovën me Serbinë, tani ka një pamje krejt tjetër nga ajo që kishte kohë më parë.

Kjo pikë kufitare të cilën Bashkimi Evropian e financoi me 11 milionë euro e që është arritur në kuadër të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është dashur që nga java e kaluar të fillonte së funksionuari, shkruan Indeksonline.

Por, ndonëse punimet kanë përfunduar dhe korsitë janë të gatshme për të filluar punën, një gjë e tillë nuk po bëhet.

Indeksonline mëson se pika e planifikuar të hapej të premten e kaluar dështoi për shkak se policia kufitare e Serbisë nuk po pranon të vije në Merdarë për të punuar me palën kosovare.

Ata kundërshtojnë që të bashkëpunojnë me policinë kufitare të Republikës së Kosovës, duke shtyrë kështu hapjen e pikës kufitare në Merdarë.

Madje, shefja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka një kohë që po mundohet t’i bindë ata që të nisin punën.

Ishte planifikuar që kur të hapet për qarkullimin e automjeteve, Merdare  t’i ketë disa karakteristika të ndryshme ekologjike, nga pesë korsi për qarkullimin e automjeteve në secilin drejtim, objektet dhe pajisjet më moderne, duke u bërë pikëkalimi kufitar më modern dhe mbresëlënës në Ballkanin Perëndimor.

Ndnëse punimet ka kohë që kanë përfunduar, fillimisht ishte paralajmëruar që pikëkalimi të hapej në muajin maj, pastaj në tetor.

Ndryshe, në Merdare zakonisht ka fluks më të madh të kalimit të mauneve me mallra, por edhe të qytetarëve kosovarë që jetojnë në diasporë. /Indeksonline/