15:15 / E Premte, 13 Korrik 2018 / indeksADMonline

Policia arreston 8 persona për vjedhje të bagëtive

Njësia e Hetimeve në stacionin policor në Pejë, në bashkëpunim me njësitë  tjera punuese dhe në bashkëpunim me qytetarët e kësaj zone, gjatë një pune të vazhdueshme  operativo – hetimore, ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë  një grup prej pesë (5)  personave të dyshuar që kanë kryer vjedhje të bagëtive në disa fshatra të komunës se Pejës dhe në disa fshatra të qyteteve  të tjera të Republikës së Kosovës, dhe tre (3) persona të cilët kanë blerë bagëti nga të dyshuarit që nga viti 2017 e deri me tani.

Në një komunikatë për media nga zyra për informim e policisë, thuhet se në shtëpinë e të dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale:  disa bagëti si dhe automjetet të cilat janë përdorur për t’i kryer veprat penale, transmeton Indeksonline.

Katër nga personat e arrestuar janë dërguar në Gjykatën Themelore në Pejë dhe të gjithëve iu është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Policia e Kosovës i falënderon qytetarët e kësaj zone të cilët kanë bashkëpunuar dhe kanë ndihmuar policinë pa hezituar në raportim të dukurive negative kriminale brenda shoqërisë sonë, pasi që vetëm në këtë mënyrë mund dhe duhet të krijojmë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në komunën e Pejës dhe  të rajonit në përgjithësi./Indeksonline/