22:09 / E Mërkurë, 31 Janar 2018 / indeksADMonline

Policia deklarohet për bllokimin e rrugëve në qendër të Prishtinës

Implementimi i planit për të ndaluar futjen e veturave në qendër të qytetit të Prishtinës, për shkak të ndotjes së madhe të ajrit, ka shkuar sipas parashikimeve.

Qamil Behrami, shef i policisë së trafikut në kryeqytet, ka thënë për Indeksonline se plani për ndalimin e qarkullimit të veturave në kryeqytet sot ka shkuar pa telashe të mëdha, pavarësisht asaj që shumë shoferë nuk kanë qenë të informuar për vendimin që kanë marrë institucionet.

“Qytetarët në përgjithësi e kanë mirëpritur vendimin për të ndaluar veturat të futen në qendër të qytetit. Ka pasur edhe të atillë që nuk kanë qenë të informuar, mirëpo pas komunikimit të zyrtarëve policor me ta gjithçka është tejkaluar. Policia ka kryer punën e saj në mënyrën më të mirë të mundshme, mirëpo shpresojmë që në ditët në vazhdim të shtohet numri i zyrtarëve pasi që dy rrugët kryesore kanë shumë hyrje-dalje dhe ne aty duhet të vendosim policë”, ka thënë Behrami për Indeksonline.

Behrami ka njoftuar se vendimi mbetet në fuqi dhe nesër sërish do të jenë rrugët e mbyllua sikurse sot.

Vendimi për implementimin e një plani të tillë rrugor erdhi pas reagimeve të shumta lidhur me tejkalimin e normales së nivelit të ndotjes së ajrit në kryeqytet.

Madje lidhur me gjithë këtë, sot ka filluar dhe zhvillimi i debatit në Kuvendin e Kosovës për ndotjen e ajrit.

Pavarësisht se sot në Prishtinë lëvizja e veturave ishte më e vogël, ajri edhe në këtë mbrëmje vazhdoj të jetë në një nivel mjaft të lartë të ndotjes.

Ndërkohë sipas Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit, Albena Reshitaj përgjatë seancës së jashtëzakonshme për ajrin, ka përmendur shkaktarët e gjithë kësaj ndotje.

Reshitaj ka thënë se termocentralet janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Prishtinë, duke përmendur se filtrat e Termocentralit Kosova B nuk janë kontrolluar prej vitit 1985.Të njëjtë më pas e tha edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili tregoi se Termocentralit Kosova A i janë ndërruar filtrat, por jo edhe Termocentralit Kosova B./Indeksonline/