18:31 / E Diele, 02 Dhjetor 2018

Policia identifikon personin që kërcënoi Pacollin

Mbrëmjen e kaluar, Indeksonline ka raportuar lidhur me kërcënimin që iu është bërë deputetit nga radhët e Aleancës Kosovës e Re (AKR), Islam Pacolli.

Por sipas Policisë së Kosovës, Pacolli është kërcënuar me datën 29 të muajit të kaluar, por që raportimi në polici është bërë një ditë më vonë.

Pacolli thuhet të jetë kërcënuar përmes rrjeteve sociale dhe tashmë personi i dyshuar është identifikuar.

“Personi i dyshuar është identifikuar  dhe në bashkëpunim me Prokurorin jemi duke hetuar këtë rast”, ka thënë  për Indeksonline, Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ndryshe në raportimin e policisë për rastin në fjalë nuk janë dhënë shumë detaje, përpos asaj se kërcënimi u bë përmes rrjeteve sociale.

Por burime të Indeksonline tutje kanë bërë të ditur se meqë kërcënimi ishte shumë serioz, rasti është dërguar tek Krimet e Rënda, gjë që nuk ndodhë në çdo rast./Indeksonline/