10:46 / E Hënë, 09 Prill 2018 / indeksADMonline

Policia jep detaje rreth kidnapimit të fëmijës në Shtime

Gjatë natës së kaluar, Indeksonline pati raportuar se një fëmijë 11 vjeçar është raportuar të jetë kidnapuar në Shtime.

Sipas Policisë së Rajonit të Ferizajt, fëmija është raportuar si i kidnapuar nga një dyshimtar që kishte qenë afër tij në momentin e zhvillimit të rastit.

Ndërkohë në ora 00:15 minuta i njëjti është paraqitur në stacionin policor të Ferizajt.

Agim Gashi, zëdhënës i policisë për rajonin e Ferizajt ka thënë për Indeksonline se gjendja shëndetësore e 11 vjeçarit është shumë e mirë.

“Gjendja e tij është shumë e mirë, prindi është njoftuar me kohë dhe e ka marrë djalin me vet. Të gjitha masat e nevojshme janë ndërmarrë”, ka thënë Gashi.

Viktima vet kishte arritur të lajmërohet në Stacionin Policor në Shtime.

“Vet ka arrit në stacionin policor, fëmija ka qenë paksa i shqetësuar por me ndihmën e psikologut gjithë rasti do të zgjidhet. Hetimet do të kryhen me kohë dhe do të kompletohet rasti”, ka shtuar Gashi.

Fëmija 11 vjeçar kishte deklaruar ndër të tjerash se ka arritur të ikë nga automjet i të dyshuarve, të cilët thuhet se e kishin kidnapuar.

Ndryshe vetë xhaxhai i fëmijës mbrëmë vonë pati deklaruar se atyre po u kërkohen 50 mijë euro për lirimin e nipit tët ij.

“Kidnapuesit po i kërkojnë 50 mijë euro. Ata i kanë dërguar një mesazh përmes telefonit vëllait tim”, ka thënë Xhevdet Tafa, xhaxhai i 11-vjeçarit që u kidnapua në Shtime./Indeksonline/