12:43 / E Enjte, 28 Janar 2021 / OSH

Policia ruse arreston vëllain e Navalny-t

Policia ruse ka arrestuar vëllanë e Alexei Navalnyt, Oleg Navalny si edhe avokaten dhe mjeken e opozitarit rus.

Drejtori i Fondacionit për Luftë Kundër Korrupsionit, Ivan Zhdanov, të cilin Ministria ruse e Drejtësisë e vendosi në listën e “agjentit të huaj”, në Twitter shkroi se policia arrestoi Oleg Navalnyn, avokaten Lobov Soboli dhe mjeken Anastasia Vasilyeva, që është anëtare e Unionit të Sindikatës së Mjekëve.

Theksohet se personat në fjalë u arrestuan për 48 orë.

Policia ruse më herët bastisi apartamentet e Navalnyt në Moskë dhe Zyrën e Fondacionit për Luftë Kundër Korrupsionit, të cilin ai e themeloi, me arsyetimin se ” u shkelën rregullat sanitare dhe epidemiologjike”.

Në Rusi më 23 janar u mbajtën demonstrata ku morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz që kërkuan lirimin e Navalnyt. Rreth 3.000 pjesëmarrës u arrestuan gjatë demonstratave në të gjithë vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se demonstratat në shenjë mbështetjeje për Navalnyn janë “ilegale dhe të papranueshme”.

Navalny, nga ana tjetër, paralajmëroi se demonstratat sërish do të mbahen, më 31 janar.