14:52 / E Mërkurë, 19 Qershor 2019 / indeksADMonline

Pompeo: Trump nuk dëshiron luftë me Iranin

Përderisa Washingtoni përgatitet të dërgojë 1.000 trupa tjera në Lindjen e Mesme mes tensioneve të larta, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, nuk dëshiron luftë me Iranin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke iu drejtuar gazetarëve në Komandën Qendrore Amerikane në Florida, Pompeo tha se SHBA-të dhe Irani “kanë qenë të angazhuara në shumë mesazhe” për të ulur tensionet në Gjirin Persik.

Pompeo theksoi vizitën në Teheran të kryeministrit japonez, Shinzo Abe, duke thënë se Trump dërgoi kryeministrin “për t’i dhënë një mesazh të tij udhëheqjes në Iran”.

“Presidenti Trump nuk dëshiron luftë dhe ne do të vazhdojmë ta transmetojmë këtë mesazh, duke i bërë gjërat që janë të nevojshme për të mbrojtur interesat amerikane në rajon”, tha Pompeo.

SHBA-të dhe Irani nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe zakonisht notat diplomatike i kalojnë përmes një bashkëbiseduesi të palës së tretë. Zvicra zakonisht e përmbush këtë rol, duke lehtësuar çështjet diplomatike midis rivalëve.

Të hënën, SHBA-të njoftuan se “për qëllim të mbrojtjes” po dërgojnë 1.000 trupa tjera në rajon, duke cituar sulmet e fundit ndaj anijeve tregtare për të cilat SHBA-të fajësuan Iranin.

Dje, në një koment të shkurtër për gazetarët, Trump tha se SHBA-të janë “shumë të përgatitura për Iranin”.

“Ne jemi shumë mirë të vendosur. Ne jemi shumë mirë të konfiguruar. Ne kemi shumë gjëra që po ndodhin me Iranin”, tha Trump.

Tensionet midis SHBA-ve dhe Iranit janë në rritje të vazhdueshme që nga maji i vitit 2018 kur Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja ndërkombëtare për vendosjen e kufizimeve në programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit nga sanksionet ndërkombëtare.

Trump veproi pavarësisht paralajmërimeve nga nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes (pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Gjermania dhe BE-ja) se një gjë e tillë do të rrit tensionet me Iranin dhe mund të çonte në një konflikt të panevojshëm.

SHBA-të kanë filluar një fushatë diplomatike dhe ekonomike për të rritur presionin ndaj Iranit që ta detyrojnë atë të rinegociojë marrëveshjen dhe me sjellje të tjera që nuk mbulohet nga marrëveshja origjinale që administrata i sheh si sjellje destabilizuese.

Pjesë të fushatës së saj ka përfshirë ri-imponimin e sanksioneve amerikane mbi eksportet e naftës iraniane, e cila ka bërë që ekonomia iraniane të pësojë rënie të madhe.