16:10 / E Enjte, 04 Tetor 2018 / indeksADMonline

Pranga ndërtuesve shqiptarë, mashtruan tatimet me 1 milion dollarë

Tatimet kanë zbuluar një skemë mashtrimi financiar me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në sektorin e tregtisë dhe ndërtimit, me një vlerë dëmi të shkaktuar në rreth 1 milion dollarë. Në këtë skemë janë përfshirë një numër i konsiderueshëm subjektesh tregtare, thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga drejtoria e tatimeve.

Ndërkohë disa biznesmenë janë arrestuar nga policia, si më poshtë:

Masa e sigurimit arrest me burg për shtetasin Gj. F. 43 vjeç, administrator i subjektit “KRISTIRINA” sh.p.k.

Masa e sigurimit arrest shtëpie për shtetasen H. M, 50 vjeçe me detyrë kontabiliste.

Masa e sigurimit arrest shtëpie për shtetasen T. K, 53 vjeçe me detyrë agjente doganore.

Masa e sigurimit arrest shtëpie për shtetasen E. B, 32 vjeçe me detyrë administratore dhe ortake e vetme e shoqërisë “ARENI ALBANIA” sh.p.k.

Ndaj këtyre shtetasve rëndon akuza për veprat penale të “Krijimit të skemave mashtruese lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” dhe “Fshehja e të ardhurave” të kryera në bashkëpunim.

Burime nga prokuroria thanë se biznesmenët tentuan të manipulojnë me fatura fiktive, për një kreditim të paligjshëm të TVSH-së duke shmangur pagesat dhe detyrimet financiare.

Strukturat Hetimore, kanë krijuar dyshime të arsyeshme se skema mashtruese në fushën e ndërtimit është më e gjerë dhe për këtë arsye po vijojnë hetimet.