08:27 / E Mërkurë, 08 Prill 2020 / indeksADMonline

“Premierliga do ta anulojë pjesën e mbetur të sezonit”

Drejtori sportiv i Udineses, Perpaolo Marino, beson se Premierliga do ta ndjekë hapin e ligës elitare të futbollit në Belgjikë dhe do të vendosë ta anulojë pjesën e mbetur të këtij sezoni 2019/20.

Skuadra e Jurgen Kloppit, që radhitet me 25 pikë në krye tabelës së Premierligës, është vetëm dy fitore larg shpalljes kampione e Anglisë, trofe ky që i ka munguar Liverpoolit në tri dekadat e fundit.

Përkundër që Liverpooli e ka krijuar këtë dallim të madh me kundërshtaret në Premierligë, djemtë e Klopp nuk e kanë të sigurt marrjen e një trofeu në fund, për shkak të dyshimeve të shtuara se a do të mundë të përfundohet sezoni aktual shkaku i krizës së koronavirusit.

Premierliga ka vendosur që ta pezullojë përkohësisht ligën pa caktuar datë kthimi, duke shtuar kështu dyshimet se ka mundësi të anulohet sezoni dhe të mbetet Liverpooli pa titull.

Tashmë Jupier Pro League, liga e nivelit të parë të futbollit në Belgjikë, e ka marrë një vendim të tilë, duke e anuluar sezonin dhe duke e shpallur kampionin në bazë të renditjes aktuale të tabelës.

“Federata belge tashmë e ka miratuar vendimin për përfundimin e ligës, përkundër kërcënimeve për sanksione nga UEFA”, ka thënë Marino, në një intervistë të dhënë për Sportitalia.

“Në Angli, Premierliga do ta publikojë një dokument të ngjashëm, sepse situata është duke u bërë shumë, shumë serioze. Unë sinqerisht vetëm shpresoj që ne do të mundë të shijojmë futbollin sërish pas koronavirusit”.

“Nuk ka rëndësi sa zgjat. Ne duhet të dalim nga kjo zonë e rrezikut. Unë jam i shqetësuar për sezonet e ardhshme, jo të vjetrin”.