16:38 / E Hënë, 11 Shkurt 2019

Presidenti i FFK-së Agim Ademi priti në takim Edmilsonin

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka pritur sot në zyrën e tij, legjendën braziliane dhe botërore të futbollit, Edmilson, me bashkëpunëtorët e tij.

Gjatë këtij takimi ish-futbollisti i njohur, i cili u shpall kampion bote me Brazilin dhe fitoi shumë trofe me Barcelonën, ka shprehur interesim për bashkëpunim me FFK-në, në organizimin e kampeve për futbollistët e rinj, duke pasur parasysh numrin e madh të talenteve që po dalin nga futbolli i Kosovës.

Me këtë rast, presidenti Ademi i ofroi përkrahje legjendës braziliane dhe vuri në pah se FFK-ja nuk do të bëjë pengesa në mbajtjen e kampeve të tilla në Kosovë nga njerëz të tillë profesionistë dhe që për qëllim kanë zbulimin e talenteve, që në të ardhmen do të mund të luajnë në klube të njohura evropiane dhe në Kombëtaren e Kosovës.

Presidenti Ademi në fund të takimit ia ka dhuruar Edmilsonit një fanellë të Kombëtares së Kosovës si dhe një plaketë me stadiumin “Fadil Vokrri”. /Indeksonline/