13:46 / E Premte, 22 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Presidenti: Kosova i mbron liritë dhe të drejtat e çdo qytetari

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot po e mban fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka folur për të arriturat e Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës dhe për punën e përbashkët në forcimin e shtetësisë së Kosovës.

“Sigurisht, prioritet i ynë i përbashkët mbetet gjithmonë angazhimi për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, jam angazhuar për respektim dhe fuqizim të të drejtave të njeriut për secilin qytetar të Republikës së Kosovës. Duke filluar nga diskutimet për nevojën për përfaqësim të barabartë të gruas në të gjitha institucionet e deri te Parada e Nderit, ku e kam bërë të qartë se shteti i Kosovës, shoqëria kosovare, janë ndërtuar mbi parimet e lirisë dhe barazisë për secilin qytetar”, ka thënë ai.

I pari i shtetit ka thënë se Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe të gjithë duhet t’i gëzojnë të drejtat e barabarta në përpjekje për të realizuar aspiratat e tyre.

Kjo, sipas presidentit Thaçi, nënkupton që ne duhet të sigurojmë prosperitet dhe dinjitet për secilin qytetar, qoftë për punëtorin, për pensionistin, mjekun, policin, ushtarin, për mësuesin, studentin apo nxënësin në shkollë.

“Ne e dimë se për ta rritur mirëqenien e qytetarëve tanë, ne duhet ta zhvillojmë ekonominë tonë dhe ta rrisim prodhimtarinë vendore. Në shërbim të këtij qëllimi, jam angazhuar në mënyrë aktive në promovimin e ekonomisë kosovare, të prodhimeve kosovare, në përfshirjen sa më të madhe të diasporës në investimet në Kosovë”, ka thënë ai.

Me konsolidimit e shtetit tonë, presidenti ka thënë se përkrahja e zhvillimit ekonomik të vendit ka filluar të marrë vend qendror në angazhimin e tij si, por edhe të institucioneve tjera të shtetit të Kosovës.

“Në koordinim me institucionet relevante, e kam përkrahur nënshkrimin e kontratës për projektin për Kosovën e Re, që sjell investimin më të madh privat në historinë e Kosovës, me 1,3 miliardë euro investime e që do të hap mbi 10 mijë vende pune. Përveç kësaj, unë vazhdoj të besoj se përmirësimi i infrastrukturës rrugore është kusht i domosdoshëm për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se ka përkrahur përfundimin e projekteve për autostrada që do të lidhin Kosovën me rajonin e më gjerë, duke u mundësuar lëvizje më të lirë njerëzve dhe mallrave.

Presidenti Thaçi ka thënë se sot ishte kënaqësi edhe inaugurimi i segmentit të dytë të autostradës “Arbën Xhaferi”.