10:47 / E Enjte, 08 Mars 2018 / indeksADMonline

Presidenti: Pozita e gruas në Kosovë ka avancuar

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka uruar sot të gjitha gratë me rastin e shënimit të ditës së tyre e njohur si ‘8 Marsi apo Dita e Gruas’.

Thaçi ka folur mbi rolin e gruas në Kosovë përgjatë mbajtjes së konferencës për të drejtat pronësore të grave në Kosovë, trashëgiminë dhe barazinë para ligjit.

“Ua uroj të gjitha grave tetë marsin. Në këtë ditë më shumë se çfarëdo tjetër duhet të ritheksojmë përkushtimin për barazi gjinore në shoqërinë tonë. Kjo ditë është edhe mundësi e mirë për të kujtuar jo vetëm rolin e pazëvendësueshëm të gruas në shoqëri por edhe përpjekjet e vazhdueshme për barazi e drejtësi tash e shumë dekada”, ka thënë Thaçi.

“Progresi në çdo shoqëri mund të vlerësohet nga trajtimi që gratë kanë në të. Kosova  ka pasur progres edhe pse dëshirojmë që progresi të jetë më i madh dhe më i shpejtë. Pozita e gruas ka avancuar, krenohemi me rolin që luan gruaja sot qoftë si Presidente, Kryetare Kushtetuese, Ambasadore, Kryetare e KQZ-së, deputete, këshilltare apo si Kampione Olimpike apo si Yll i Pop Muzikës”, ka shtuat Thaçi.

Gjithashtu Thaçi ka thënë se vendi vazhdon të ketë ende sfida sa i përket dallimeve gjinore.

“Kemi edhe sfida, gruaja kosovare vazhdon të ballafaqohen me pengesa në realizimin e të drejtave të saj. Sfidë e tillë është trashëgimia. Gratë përbëjnë 49.6% të popullsisë së Kosovës por vetëm 15% kanë të regjistruar pronën në emër të tyre. Në krahasim me rajonin kemi bërë progres shumë të madh, kemi bërë reforma të shpejta, kemi hartuar ligje moderne që rregullojnë këtë fushë dhe tash janë në fuqi. Janë organizuar shumë konferenca vendore dhe ndërkombëtare që kanë trajtuar këto probleme. Vazhdimisht jemi  munduar të ngrisim vetëdijen publike. Përgëzoj të gjitha institucionet që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në këtë drejtim. Ftoj të angazhohemi në realizmin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave në Kosovë. Të gjithë duhet të jemi të barabartë pa dallim gjinie”, ka përfunduar Thaçi./Indeksonline/