09:54 / E Shtunë, 01 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Presidenti Thaçi për Bush: Ai ia bëri të qartë Milosheviqit se Kosova është vijë e kuqe për SHBA-të

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-Presidentit amerikan George HW Bush, i cili ndërroi jetë mbrëmë në moshën 94-vjeçare, shkruan Indeksonline.

Thaçi përmes një statusi në llogarinë e tij në “Facebook” ka thënë se Kosova dhe shqiptarët do ta kujtojnë si presidentin që në fillim të viteve 90 ia bëri shumë qartë regjimit të Milosheviqit, me Vërejtjen e Kërshëndellave, se Kosova është vijë e kuqe për SHBA-të.

Ai ka thënë se bashkëndjenjë me familjen e Bush dhe tërë popullin amerikan.

Më poshtë keni postimin e plotë:

Ngushëllimet më të sinqerta në emër të popullit të Kosovës për vdekjen e Presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H.Ë. Bush. SHBA dhe bota do ta kujtojnë si patriot të pashoq dhe shembull të përkushtimit për të punuar për fuqizimin e demokracisë botërore dhe përhapjen e vlerave të lirisë. Kosova dhe shqiptarët do ta kujtojnë si president të parë, që qysh në fillim të viteve ‘90 ia bëri shumë qartë regjimit të Milosheviqit, me Vërejtjen e Kërshëndellave, se Kosova është vijë e kuqe për SHBA. Bashkëndjejmë me familjen Bush dhe tërë popullin amerikan në këtë humbje të madhe.