15:12 / E Hënë, 03 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Presidenti Thaçi pranon letrat kredenciale nga ambasadori i ri i SHBA-së

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka pranuar letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.

Me këtë rast Thaçi ka deklaruar se Kosnett tashmë e njeh Kosovën, pasi ka shërbyer edhe më parë këtu dhe që është mirënjohës për mesazhin e mirë të dërguar nga Washington për Kosovën.

“Jam shumë mirënjohës edhe për mesazhin e dërguar nga Washington për Kosovën, por edhe për bisedën e shkurtër sot që e zhvilluam. Ambasadori Kosnett është njeri me fat që do të shërbejë në një vend me popullatën më proamerikane në botë, ajo kosovare. Ambasadori ka shërbyer edhe më herët në Kosovë dhe e njeh Kosovën, besoj se do të vazhdojë këtë”, ka thënë Thaçi, shkruan Indeksonline.

Tutje presidenti i vendit ka deklaruar se pret që bashkëpunimi i mirë me Amerikën të vazhdojë, në një drejtim të qartë të Kosovës drejt zhvillimit dhe anëtarësimit në strukturat euroatlantike.

“Jam shumë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës,  gati për tri dekada, shpresoj që edhe pas integrimit të Kosovës, në NATO dhe në strukturat euroatlantike, do të kemi agjendë të koordinuar, prandaj presë me padurim për misionet e përbashkëta, për fqinjësi të mirë, zhvillim ekonomik, zhvillim të rendit dhe ligjit dhe për harmoni mes njerëzve e mbi të gjithë për një drejtim të qartë dhe të drejtë të vendit tonë”, ka shtuar Thaçi./Indeksonline/