08:12 / E Mërkurë, 31 Tetor 2018 / indeksADMonline

Prishtina – Bashkimi, derbi i kësaj fundjave në Ligën e Femrave

Në këtë fundjavë, më saktësisht të dielën me fillim nga ora 17:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë do të zhvillohet derbi i xhiros së VI në Ligën e Femrave, ku do të ballafaqohen Prishtina dhe Bashkimi.

Këto dy skuadra janë ballafaquar në prag të edicionit të ri, në kuadër të Superkupës së Kosovës, ku fituese kanë dal basketbollistet bardhekaltra pas një ndeshje mjaft interesante dhe me rivalitet të theksuar në parket.

Ekipi nga Prizreni në radhët e veta i ka dy lojtare amerikane, Shaw Danisha Shantrell dhe Steward Mari Anna, të cilat janë edhe bartëse të lojës së Bashkimit, derisa klubi nga kryeqyteti do të paraqitet me lojtare vendore, pa asnjë përforcim, ndonëse një gjë të tillë e kanë paralajmëruar se do ta bëjnë në pjesën e dytë të edicionit, transmeton IndeksOnline.

Bashkimi në këtë edicion të Ligës së Femrave nga pesë ndeshje të luajtura ka shënuar po aq fitore dhe kështu kryeson në renditjen tabelare me 10 pikë të grumbulluara, derisa Prishtina i ka zhvilluar 4 ndeshje, prej tyre 3 fitore e 1 humbje.

Të vetmën humbje Prishtinës deri më tani ia ka shkaktuar Penza, një tjetër skuadër kjo që synon trofetë e këtij edicioni në basketbollin femëror në vendin tonë.

Edhe Penza ashtu si Bashkimi në radhët e veta i ka dy lojtare amerikane, Brown Geoquasha Dalynnnga dhe Kearse Jasmine Shanae./IndeksOnline/