21:32 / E Shtunë, 05 Maj 2018 / indeksADMonline

Prishtinë: Gjuajtën granatë dore në drejtim të njerëzve, arrestohen dy persona

Sonte rreth orës 19:00 në rrugën “Shaban Shala” në Prishtinë ka shpërthyer një granatë dore.

Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Pas marrjes së informacionit policia ka dal menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore të ekzaminimit të vendngjarjes dhe atyre operative. Deri më tani janë evidentuar vetëm dëme materiale dhe nuk është raportuar ndonjë person i lënduar”, ka thënë Borovci.

Ai ka theksuar se dyshohet që mjeti shpërthyes të ketë qenë granatë dore dhe të jetë hedhur nga një person në drejtim të disa personave të tjerë pas një konflikti të çastit mes tyre.

“Policia ka identifikuar disa nga personat që dyshohet të jenë involvuar në këtë ngjarje.  Dy nga këta persona janë arrestuar nga ana e policisë dhe ndaj tyre është iniciuar procedura hetimore”, ka shtuar Borovci.

Aktualisht policia po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme hetimore me qëllim sqarimin dhe ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit. /Indeksonline/