75 Mall Live Search
18:07 / E Hënë, 26 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Pas një hetimi disamujor, arrestohen pesë zyrtarë të MI-së

Policia e Kosovës ka arrestuar sot pesë persona të dyshuar për keqpërdorim të pozitës dhe marrje të ryshfetit, ndërsa ende mbetet në kërkim edhe një person pasi nuk është hasur nga njësitet relevante policore.

Arrestimi ka ardhur pas një hetimi disamujor nga ana e Departamentit Special Anti-korrupsion, me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Personat e arrestuar janë zyrtarë pranë Ministrisë së Infrastrukturës: P.N.  (1962), M/S/K, B.D.  (1974)  M/S/K, B.K. (1980)  M/S/K,  K.K.  (1957)  M/S/K dhe M.B. (1962)  M/S/K.

Ata dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme kanë licencuar pyetës teorik (ekzaminer) për patentë shofer, përmes të së cilëve dyshohet se kanë ushtruar ndikimin e tyre në testet teorike për kandidatët për patentë shofer.

Gjatë këtij operacioni policor janë kryer bastisje në pesë lokacione, prej tyre tri zyra në Ministrin e Infrastrukturës, një zyrë në njësinë rajonale për patentë shofer në Prishtinë dhe një zyrë rajonale për patentë shofer në Gjakovë .

Policia e Kosovës gjatë kontrollit në këto lokacione ka sekuestruar edhe disa dëshmi relevante që ndërlidhen me rastin si dokumentacione, pajisje elektronike, telefona celular, dëshmi këto të cilat do të procedohen sipas procedurës ligjore.

Të gjitha veprimet e mëtutjeshme policore do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent të rastit, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.