19:18 / E Shtunë, 01 Shtator 2018 / indeksADMonline

Pritje të gjata në Merdare, policia apelon të shfrytëzohen pikat tjera

Me përfundimin e ditëve të ngrohta të verës, fluksi i madh i mërgimtarëve të cilët kanë nisur të kthehen nëpër shtëpitë e tyre në vendet Perëndimore, ka bërë që në pikën kufitare në Merdare, pritjet të jenë më shumë se 8 orë, apo 500 minuta.

Lidhur me këtë situatë, Policia e Kosovës ka apeluar të gjithë  mërgimtarët të cilët po vazhdojnë të presin në Merdare, në dalje të Republikës së Kosovës për në Serbi.

“Inkurajojmë te gjithë qytetaret qe kane per te qarkulluar jasht RKS, për te shmangur pritjet dhe kolonat e gjata te përdorin edhe alternativat/pikat tjera kufitare tjera, siç është rasti për me piken kufitare Dheu i Bardhë ku pritjet janë me te shkurtëra vetëm rreth 15 minuta”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Më tej, zëdhënësi i PK-së, Daut Hoxha për Indeksonline ka thënë se Policia ka planin e veçantë për menaxhimin e fluksit gjatë sezonit në kufijtë e saj. Sipas tij, ka shtim të resurseve në pikat e Kalimit të Kufirit si dhe të pajisjeve.

“Ne te gjitha Pikat e Kalimit te Kufirit, ka resurse te mjaftueshme, qe mundëson një kontroll efikas, te shpejte dhe te sigurte. Menaxhimi i kontrollit kufitare është një proces i cili kërkon një bashkëpunim dhe bashkërendim te aktiviteteve te gjitha agjencive te përfshira ne kontrollin kufitare, si dhe një bashkëpunim dhe bashkërendim te aktiviteteve me agjencitë e kontrollit kufitare te shteteve fqinje, qe ne disa raste kjo po mungon, siç është rasti ne kufirin me Serbinë”, ka thënë zëdhënësi Daut Hoxha për Indeksonline.

Ndryshe,  sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare për menaxhim kufitar, në matjet e bëra në ora 17:25 pritjet më të gjata u regjistruan në Merdarë.

Derisa në hyrje pritjet ishin deri ne 40 minuta, në dalje ishte gjendje tjetër pasi duhej të pritej 8 orë e gjysmë, apo 500 minuta./Indeksonline/

Fluksi i madh i mërgimtarëve, më shumë se tetë orë pritje në Merdarë