75 Mall Live Search
18:23 / E Diele, 11 Mars 2018 / indeksADMonline

“Pritjet e qytetarëve dhe ndërkombëtarëve për forcimin e sundimit të ligjit nga EULEX-i, janë tradhtuar”

Muaji qershor cilësohet të jetë vendimtar sa i përket vazhdimit apo mos-vazhdimit të mandatit të ‘EULEX-it’ në Kosovë.

Lidhur me këtë çështje ditë më parë, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka deklaruar se ende nuk kanë ndonjë marrëveshje se çfarë do të  bëhet pas skadimit të mandatit të EULEX-it në qershor të këtij viti.

“Pa dyshim jemi në fazën e konsultimeve dhe ende nuk kemi ardh në përfundim për rolin pas qershorit për EULEX. Dua t’i falënderoj për angazhimin dhe vullnetin për të ngritur kapacitetin e këtij instituti. Angazhimi i EULEX ka qenë i madh. Në momentin kur do të kemi një marrëveshje, ne do ta publikojmë”, ka thënë Tahiri.

Lidhur me këtë Indeksonline ka kontaktuar Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili ndër të tjerash ka rikujtuar se viti 2018, është viti jubilar i dhjetë vjetorit të misionit të EULEX-it në Kosovë.

“Edhe përkundër se ky mision për afërsisht gjashtë vite kishte kompetenca ekzekutive  dhe pothuajse edhe ekskluzive në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit,  rezultatet janë pothuajse inekzistente.  Kosova në vitin 2018, ende kriter për liberalizim të vizave ka rezultatet konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.  Në këtë drejtim, pritjet e qytetarëve të Kosovës por edhe faktorit ndërkombëtar nga ky mision në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë janë tradhtuar.  Edhe përkundër faktit se ky mision kishte për mision të vinte rregull dhe ligj në Kosovë, përgjatë viteve prokuror dhe gjykatës të këtij misioni ishin akuzuar për korrupsion dhe vepra tjera penale që kanë kontestuar dhe ulur besimin e qytetarëve në këtë mision”, ka thënë Miftaraj.

Gjithashtu ai ka shtuar se ky mision pothuajse gjatë gjithë kohës që ka ushtruar mandatin e saj ka pasur probleme serioze me integritetin dhe llogaridhënien.

“Edhe përkundër asaj që ky mision kishte për mandat  dhe obligim ligjor edhe në ndërtimin  e institucioneve të pavarura, paanshme dhe profesionale,  fatkeqësisht edhe sipas  raporteve vendore dhe ndërkombëtare, sistemi i drejtësisë në Kosovë në vitin 2018 është i politizuar dhe i ndikuar nga grupet e interesit.  Eulexi në Kosovë kishte plot 10 vite për të dëshmuar lojalitet, përkushtim dhe dedikim ndaj Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka shtuar Miftaraj.

Sipas Miftaraj, në këtë drejtim, Kuvendi i Kosovës do të duhej të kishte një strategji lidhur me transferimin gradual të kompetencave nga Eulex-it tek institucionet vendore,  forcimin e institucioneve vendore të drejtësisë,  si dhe pavarësimin e tyre edhe në praktikë./Indeksonline/