13:54 / E Enjte, 18 Tetor 2018 / indeksADMonline

Projektligjet për FSK-në, reagon Gjuriq: Sot Kosova i hapi rrugë eskalimit të situatës

Drejtori i Zyrës për Kosovë në Serbi, Marko Gjuriq, ka reaguar kundër miratimit në parim të Projektligjit për FSK-në që nënkupton hapin e parë të krijimit të ushtrisë së Kosovës. Gjuriq i cili është duke marrë pjesë në një panel të organizuar në Forumin e Sigurisë në Beograd, ku është së bashku me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, dhe analistin Agon Maliqi.

Gjuriq ka thënë se miratimi i këtij projektligji në një kohë kur bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, filluan të shohin një marrëveshje finale në horizont, ky veprim i institucioneve të Kosovës nuk haranton më këtë marrëveshje.

“Pikërisht në këto momente kur ne po flasim se çka mund të sjellë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, Parlamenti i të ashtuquajturës Republika e Kosovës ka miratuar një ligj për të ashtuquajturën transformimin e Forcave të Armatosura që po duan të quajnë ushtri të ashtuquajtur Kosovë”, ka thënë Gjuriq.

Insajderi është i pranishëm në Forumin e Sigursë  në Beograd ku po marrin pjesë personalitete të njohura të fushës së politikës dhe sigurisë në rajon dhe Bashkimin Evropian.

Miratimi në parim i Projektligjit për transformimin e FSK-së në ushtri, sipas Gjuriq është një akt që do të qojë në eskalimin e situatës.

“Miratimi i këtij projektligji në këtë kohë, pas shumë viteve të luftës dhe konfliktit e sidomos në një kohë kur marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë filloi të shihej në horizont, një hap i tillë nënkupton eskalim të situatës, përkeqësim të gjendjes”, ka thënë Gjuriq.