16:41 / E Hënë, 01 Tetor 2018 / indeksADMonline

Prokuroria në Prizren demanton deklaratat e kryetarit Haskuka!

Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka reaguar  ndaj shkrimit të publikuar në rrjetet sociale nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, me titull “Vetëm kur ka rend dhe ligj, ka zhvillim ekonomik”, në të cilin ndër të tjera thuhet se nuk kanë hasur në bashkëpunim nga Prokuroria e Prizrenit dhe se kanë marrë telefonatë kërcënuese nga Prokurorja kujdestare me fjalët, se “kryeprokurori rajonal ju urdhëron që t’ i largoni menjëherë shiritat ndalues”!

Sipas Prokurorisë, të thënat e lartcekura, nuk qëndrojnë.  Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht Kryeprokurori i kësaj Prokurorie as në këtë rast dhe në asnjë rast tjetër nuk ka dalë në mbrojtje të pa ligjshmërisë.

Kryeprokurori Shala, nuk është përzier për asnjë moment në rastin në fjalë, ndërsa prokurorja kujdestare ka vepruar me përgjegjësi, paanshmëri dhe pavarësi të plotë konform dispozitave ligjore për të cilat është e obliguar që t’ i zbatoj.

Më tutje, thuhet se mospranimi teknik i objektit është kundërvajtje dhe jo vepër penale, andaj ndërhyrja e Prokurorisë në këto raste është e pa nevojshme. Ndërsa, sa i përket dyshimit për heqje të shiritave, personat përgjegjës do të ndiqen penalisht konform dispozitave ligjore të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore e Prizrenit, është e vendosur dhe e pa lëkundur në luftën kundër kriminalitetit dhe se në rastin konkret nuk ka pasur asnjë tendencë që të ndikohet apo të pengohet puna e inspektoratit komunal, përkundrazi bashkëpunimi me Komunën e Prizrenit ka qenë i mirë në të kaluarën dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe në të ardhmen”, përfundon demanti i prokurorisë.

Ndryshe, Kryetari  i Prizrenit, Mytaher Haskuka tha sot se një nga pengesat kryesore për zhvillim ekonomik është korrupsioni dhe mos zbatimi i rendit dhe ligjit.

“Qendra tregtare ka bërë hapjen për vizitorë pa lejet e domosdoshme për pranim teknik dhe kjo ka qenë arsyeja e ndërhyrjes së inspektorëve komunalë. Objektet e tilla pa pranim teknik paraqesin rrezik publik, prandaj janë të obliguar t’i sigurojnë këto leje. Pas vendosjes së shiritit ndalues, pronari i objektit inspektorëve iu ka thënë se do t’i largojë ato krye në vete pas largimit të tyre. Ky veprim i palës paraqet vepër penale, prandaj sipas procedurës, zyrtarët komunalë rastin ia kanë lajmëruar prokurores kujdestare si dhe policisë. Pas pak prokurorja kujdestare ka thirrur inspektorët në terren dhe u është kërcënuar me fjalë, se “kryeprokurori rajonal ju urdhëron që t’i largoni menjëherë shiritat ndalues”, ka shkruar ndër të tjerash sot Haskuka./Indeksonline/