16:38 / E Premte, 16 Mars 2018 / indeksADMonline

Prokuroria Speciale nga e hëna në grevë të përgjithshme

Stafi mbështetës i Prokurorisë Speciale të Kosovës  nga e hëna do të hyjë në grevë të përgjithshme deri në plotësimin e kërkesave të paraqitura nga ta.

Grevën e ka paralajmëruar kryetari i këshillit grevist të stafit mbështetës të PSRK-së, Sheremet Fejza.

“Në takimin që e patën sot me gjithë stafin mbështetës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, u pajtuam që nga dita e hënë të hymë në grevë të përgjithshme, pasi që deri më tani nuk ka pasur asnjë reflektim lidhur me kërkesat tona të cilat tashmë janë publike”, ka thënë Kryetari i Këshillit grevist të PSRK-së, Sheremet Fejza.

Ai ka theksuar se greva do të mbahet për shkak të mos përmbushjes së stimulimit në paga të cilat janë të parapara me Ligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.