Prokuroria tregon dyshimet e para për aksidentin fatal në Mramor
Një aksisdent me pasoja fatale tronditi vendin tonë pasditen e djeshme. Me këtë rast, katër persona humbën jetën si pasojë e një aksidenti trafiku dhe tre të tjerë pësuan lëndime në magjistralen Prishtinë-Gjilan, saktësisht në fshatin Mramor.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka thënë se sipas vendit të ngjarjes, shkaktar i aksidentit është tejkalimi.
“…Jam informuar nga prokurori kujdestar se sipas vendit të ngjarjes, shkak i aksidentit është tejkalimi nga vetura ku mbetën të vdekur tre persona, edhe pse në atë pjesë tejkalimi ka qenë i lejueshëm’’, tha Beka “Indeksonline”.
Numri një i Themelores ka shtuar se gjithnjë sipas informatave të prokurorit kujdestar, edhe pse tejkalimi në atë pjesë ka qenë i lejueshëm, shoferi i veturës nuk e ka matur mundësinë për tejkalim.
Rikujtojmë, se në këtë aksident ishte përfshirë edhe eskorta e ambasadores së Turqisë në Kosovës, Kivilcim Kiliç.
Më tej, Kryeprokurori Imer Beka ka theksuar se nga eskorta e ambasadores më së shumti lëndime ka pësuar kjo e fundit.
Ndryshe, katër qytetarët që humbën jetën në aksidentin e djeshëm në Mramor të Prishtinës, janë nga Poneshi i Gjilanit.
Viktimat janë, Agron Shala, 22 vjeç, Arife Shala, 88 vjeç, Elfete Rashiti, 65 vjeç edhe Osman Shala, 65 vjeç./Indeksonline/