19:36 / E Mërkurë, 31 Janar 2018 / indeksADMonline

Prokurorja speciale e Kosovës: Gjykata Speciale, pjesë e obligimeve ndërkombëtare

Kosova duhet me i përmbush obligimet ndërkombëtare u tha në debatin e organizuar sonte për Gjykatën Speciale, ku po ashtu pati mendime, se Gjykata Speciale duhet të ndodh, pasi nga UÇK nuk është dënuar asnjë luftëtar për krime lufte.

Prokurorja speciale e Kosovës, Drita Hajdari tha se Kosova ka për obligim më i përmbush detyrimet, të cilat janë kërkesa të bashkësisë ndërkombëtare, nëse synojmë të jemi pjesë e botës dhe çështja e krimeve të luftës, nuk mund të jetë një çështje e izoluar.

Prokurorja Hajdari, duke mos e quajtur diçka të re formimin e Gjykatës Speciale, ka thënë se përveç Ligjit për Dhomat e Specializuara, që e ka aprovuar Kuvendi i Kosovës, në vitin 2008 ishte formuar edhe Prokuroria Speciale, në të cilën tani punon ajo.

Po ashtu, Hajdari tha se kjo nuk është hera e parë, që ndërkombëtarët marrin kompetenca dhe janë pjesë e legjislacionit të Kosovës.

“Ajo që mua me dhemb, janë deklarimet e  disa personave, që deklarohen se formimi i Gjykata Speciale, paraqet dështim të Prokurorisë së Kosovës dhe gjykatave, duke na akuzuar si të papërgatitur dhe se jemi të paguximshëm. Dhe unë tregova në kronologji, se gjykatat e tilla kanë funksionuar edhe më parë dhe kjo nuk është diçka e re”, tha ajo.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca duke folur për natën e 22 dhjetorit, kur u tentuar shfuqizimi i Gjykatës Speciale, pohoi se për këtë e ka ditur paraprakisht, pasi ishte informuar përmes një ministri, ndërsa deklaroi se prapa kësaj qëndronte edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e që sipas tij, këtë e ka bërë për çështje personale, e jo parimore për Kosovën.

“Përmes një ministrit e kam ditë se çka ka me ndodh saktësisht, të cilit nuk dua me i përmend emrin, e kam ditë që këtu është i përfshirë edhe presidenti dhe është shtytësi kryesor. Kur ka ardhur nata e 22 dhjetorit, ka qenë koha që ishte në prag të vikendit dhe festave të dhjetorit, këta kanë dashur me përmbyll atë proces pikërisht atë natë…  Zhbërja e saj në këtë mënyrë kaq të rrezikshme dhe eksperimentale, ku halli është për disa persona dhe kjo çka do të bëjë Kosova, dhe këtë Vetëvendosja e ka kundërshtuar”, ka pohuar Konjufca.

Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ka sqaruar se pse ishin dhe janë pro formimit të kësaj gjykate, ku tha se që nga viti 2000 i kanë përcjellë gjykimet për krimet e pretenduara të kryera nga ish-luftëtarët e UÇK-së, dhe sipas tij nga UÇK askush nuk është dënuar për krime lufte.

“Gjatë këtyre proceseve gjyqësore kemi vërejtur, se kudo që kanë qenë raste të pretenduara të krimeve të kryera nga ish luftëtarët e UÇK-së, e në shumicën dërmuese të rasteve ndaj shqiptarëve. Në disa raste, kanë qenë pala e dëmtuar edhe viktimat serbe. Familjet e viktimave as që e kanë marrë guximin me ardhur me i monitoruar gjykimet. S’po flas për kërcënimet që janë bërë ndaj dëshmitarëve, në të shumtën e rasteve kanë qenë të suksesshme, dëshmitarët i kanë ndryshuar deklaratat e tyre prej fazës së hetuesisë, në shqyrtimin kryesor. Viktimat kanë qenë të margjinalizuara dhe pak prej tyre kanë parë drejtësi. Sidomos të atyre të komunitetit serb”, tha Blakaj.

Debati për Gjykatën Speciale është organizuar nga K2.0.