17:53 / E Mërkurë, 23 Maj 2018 / indeksADMonline

Protestë në Han të Elezit, kërkohet hapja e magjistrales së mbyllur për shkak të shembjeve

Gati një muaj që nga mbyllja për qarkullim të rrugës Magjistrale Hani i Elezit Kaçanik, banorët e Hanit të Elezit me rrethinë thonë se gjithnjë e më shumë po pësojnë nga kjo situatë. Kjo gjendje bëri që sot para komunës së Hanit të Elezit të tubohen shumë qytetarë, si dhe komuniteti i biznesit për të shprehur edhe një herë pakënaqësinë me situatën e krijuar.

Ata duke iu drejtuar Kryetarit të Komunës Rufki Suma thanë se mbyllja e rrugës ka filluar të shkakton edhe probleme ekzistenciale, duke filluar me shumë vështirësi në furnizime elementare ushqimore, materialeve ndërtimore, ka paralizuar në tërësi shumë operatorë transportues që operojnë për kompanitë vendore, po shkaktohen shumë vështirësi të kompanive vendore në plasimin e produkteve të tyre si Sharrcemi, janë evidente problemet e kompanive shërbyese doganore si shumë shpedicione të cilat kanë të punësuar stafin vendor dhe për shkak të rrethanave të krijuara shërbimet e tyre po i zhvendosin në qendrat tjera të vendit .

Thanë se janë shqetësuese problemet me transportin e nxënësve, studentëve, punëtorëve të cilët duhet të udhëtojnë për çdo ditë.

Këto edhe shumë shqetësime tjera u prezantuan në emër të këshillit protestues nga Saxhid Thaqi i cili kërkoi nga kryetari Suma që t’i përcillen institucioneve më të larta të vendit.

Në kumtesën e këshillit protestues u shpreh mirëkuptim për sa i përket angazhimit të institucioneve për rehabilitimin e segmentit të rrugës që rrezikonte qarkullimin, mirëpo në të njëjtën kohë ata kërkuan që edhe në këtë situatë të mundësohet banorëve të Hanit të Elezit një funksionim normal.

Ata kërkuan që me një mirëkuptim dha bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës, punë kryesit Bechtel-Enka dhe Komunës së Hanit të Elezit të ju mundësohet një orar i caktuar për qarkullim në Magjistrale Hani i Elezit -Kaçanik për ti zhvilluar aktivitetet e domosdoshme për qytetarët dhe bizneset.

Ndërsa Kryetari i Komunës Rufki Suma duke shprehur pajtimin e plotë me kërkesat e protestueseve tha se që nga dita e parë e mbylljes së rrugës Magjistrale Hani i Elezit- Kaçanik është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Infrastrukturës dhe se në vazhdimësi ka kërkuar që të sigurohen alternativat për jetë normale për banorët e komunës . Ai shprehu zhgënjimin se disa veprime kanë mundë të realizohen që nga dita e parë si për shembull qarkullimi i trenit i cili filloi sot pra pas një muaji kërkese. Kryetari Suma u zotua para protestuesve se do t’i prezanton zyrtarëve nga MI-ja kërkesat dhe shqetësimet e protestueseve dhe do të kërkojë që për një kohë të caktuar kjo magjistrale të jetë e hapur.