18:35 / E Martë, 26 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Protestuesit tentojnë të çajnë sërish policinë, tension tek parlamenti në Tiranë

Protestuesit në Tiranë kanë tentuar të çajnë radhët e policisë sërish dhe kanë hedhur herë pas here tymuese e bidona drejt policisë. Mes policisë dhe protestuesve ndodhen ish-deputetët Flamur Noka dhe Klevis Balliu.

Qytetarë të shumtë e mbështetës të opozitës janë vendosur në dy hyrjet e parlamentit, ku kanë kaluar deputetët e maxhorancës. Ata kanë lëshuar thirrje “Parlament i krimit”, “Rama ik!”, “Liri demokraci”, “Këtu vendosim ne”.

Mes protestuesve janë edhe kreu i PD-së Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi si dhe përfaqësues të tjerë politikë të opozitës. Ndërkohë brenda parlamentit vijon seanca plenare.

Ndonëse nuk ka tel me gjemba, masa të shumta sigurie janë marrë nga forcat e rendit të cilat janë vendosur në disa radhë.

Opozita vendosi të protestojë sot sapo Konferenca e Kryetarëve mori vendim të zhvillonte seancën e së enjtes së kaluar pasdite në orën 17:00. Megjithëse është një protestë e paparalajmëruar dhe pa marrë leje Policia e Tiranës ka marrë gjithë masat për mbarëvajtjen e saj dhe sigurinë e institucionit të parlamentit.