11:40 / E Martë, 12 Prill 2022 / A. M.

PSD-ja ia përgatit letër-dorëheqjen ministres Nagavci

Partia Social-Demokrate ka mbajtur një aktivitet brenda Ministrisë së Arsimit, nga ku kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit.

Nënkryetari i PSD-së, Qendron Kastrati thotë se ia kanë përgatitur letër-dorëqjen ministres Nagavci.

“Sot kemi dashtë me ardhë te zonja Nagavci dhe ne e kemi përgatitur letër- dorëheqjen, ia kemi bërë gati, e kemi kryer edhe këtë punë”, është shprehur Kastrati.

“Siç e dini me datën 8 prill, bashkë me përvjetorin e ditës së kushtetutës së Kosovës, gjykata kushtetuese ka konstatuar se zonja Nagavci i ka shkelë tri dokumente kryesore për demokracinë në Kosovë, e para e ka shkelë kushtetutën, e dyta e ka shkelë kartën evropiane për qeverisje lokale dhe e treta e ka shkelë ligjin për vetë-qeverisje lokale  që është një prej ligjeve më vitale në Kosovës”, shtoi ai.

“Me këtë çka ka bërë zonja Nagavci e para ka arrit me shtrembëruar vullnetin e qytetarëve në një komunë të Kosovës, sepse kjo duke i ka kaluar kompetencat ka ndërhyrë drejtpërdrejt dhe i ka cenu përgjegjësit e komunës.

“E dyta në Kosovës është ndërtuar një precedentë, kur shkelet kushtetuta të gjithë kanë reflektuar, ka raste edhe moralisht dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë, zonja Nagavci duhet me u shkarku ose me dhënë dorëheqje, sepse duke e keqpërdorë pozitën e vet e ka dëmtuar dikë tjetër”.