13:05 / E Mërkurë, 19 Shtator 2018 / indeksADMonline

Pse KPM, Hasani e politikanët tjerë s’i ndalën kanalet televizive të Serbisë në platformat kosovare deri tani?

Janë bërë shumë vjet që kanale televizive të Serbisë transmetohen pa asnjë pengesë në platformat kabllore të Kosovës.

E po ashtu, janë bërë shumë vjet, që të drejtat e transmetimit të Ligës së Kampionëve për Kosovë, këto platforma i kanë blerë nga kompani me seli në Beograd.

Si është e mundur që për këtë gjë asnjëherë deri tash nuk është bërë bujë?

Pse deputeti Nait Hasani, dhe ndonjë koleg tjetër i tij, nuk reaguan kurrë për këtë?

Pse Komisioni Parlamentar për Media nuk e ngriti zërin asnjëherë për këtë cështje dhe pse Komisioni i Pavarur i Mediave heshti?

Cila është arsyeja që kjo po ndodh pikërisht tashti, kur Art Motion ka të drejtën e transmetimit të kanalit Arena Sport, i cili ndër sportet tjera, ka të drejtën e transmetimit edhe të Ligës së Kampionëve për Kosovë?

Po ashtu, është për t’u habitur se pse kurrë askush nuk e ka ngritur zërin për të reaguar ndaj emetimeve të kanaleve të tjera të Beogradit në platformat kosovare.

Nëse e merrni pak mundimin e shëtisni me pilotin tuaj televiziv nëpër përmbajtjen programore të platformave Kujtesa, Ipko, Telkos por edhe Art Motion e të tjera, do të shihni e do të bindeni se ato transmetojnë kanale nga Serbia si puna e B-92 apo tash O2, Pink, platforma Fox nga Beogradi e shumë e shumë kanale të tjera nga ky por edhe shtetet tjera të rajonit.

Tash shtrohet pyetja, a duhet të ndalen edhe transmetimet e këtyre kanaleve apo vetëm kanali Arena Sport i cili transmetohet në Art Motion?

Pse një kanal sportiv, ku transmetohet Liga e Kampionëve, mund të jetë më i dëmshëm për Kosovën, se sa një tjetër kanal informativ, në të cilin, pos tjerash, raportohet zi e terr për shtetin tonë-Kosovën?

Përgjigja në të gjitha këto pyetje është e thjeshtë: Lufta e të gjithëve kundër Art Motion është nxitur nga Kujtesa, e cila për të shpëtuar milionat e investuar në një operacion amatoresk biznesor, që e bëri kur bleu të drejtat për Ligën e Kampionëve, është në gjendje të bëjë cmos, madje edhe të shtyjë politikanët, Bordin e KPM-së dhe vetë KPM-në për ta shkelur ligjin, vetëm për të penguar ecjen përpara dhe suksesin e platformës së re – Art Motion.