15:40 / E Premte, 05 Janar 2018 / indeksADMonline

Pushojnë hetimet ndaj Agim Sahitajt, dyshohej për masakrën ndaj 38 shqiptarëve në Suharekë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka pushuar hetimet ndaj Agim Sahitajt, i cili ka qenë i dyshuar për veprën penale të krimeve të luftës të kryera në fshatin Sopi të Suharekës në prill të vitit 1999. Prokuroria dyshonte se Sahitaj në bashkëpunim me forcat ushtarake dhe policore serbe kishte marr pjesë në vrasjen e 38 civilëve shqiptarë në këtë fshat.

Kështu ka bërë të dituar përmes një njoftimi në Facebook avokati mbrojtës i tij, Tomë Gashi.

“Z.Agim Sahitaj është liruar nga paraburgimi i caktuar që nga data 08.08.2017, dhe ai kurrë më nuk do të përballet me dyshime të tilla, të cilat me profesionalizëm dhe korrektësi, Prokurori i çështjes z.Elez Blakaj i ka hetuar për më tepër se pesë muaj. Me rastin e hetimeve në çështjen e z.Agim Sahitaj, nga provat e mbledhura nuk është vërtetuar dyshimi i arsyeshëm, se i njëjti të ketë kryer veprën penale të krimeve të luftës, për të cilat ai është hetuar”, thuhet në këtë njoftim.

Sahitaj dyshohej se bashkë me forcat serbe, kreu krime në Sopi – saktësisht në familjen Elshani – ndërsa dyshohet se kishte marrë pjesë edhe në deportimin e bashkëfshatarëve shqiptarë nga ky fshatë.

Prokuroria Speciale pretendonte se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në prill të vitit 1999, i dyshuari Agim Sahitaj, i uniformuar dhe i armatosur, ka vepruar së bashku me pjesëtarët e forcave serbe ku kanë vrarë, plagosur, rrahur, maltretuar, plaçkitur dhe dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre e në drejtim të Shqipërisë popullatën civile shqiptare.

Sahitaj ishte arrestuar në muajin gusht të vitit 2017  me urdhër të Prokurorisë Speciale.