21:35 / E Martë, 28 Nëntor 2023 / MSH

Pushtimi i Shqipërisë nga Shqiptarët

Shkruan: Fadil Lepaja

Dorën në zemër, edhe Ademi në Kosovë edhe Skendoja në Shqipëri në kohët moderne, të pasluftës, e kanë humbur luftën me qytetarinë. Në Prishtinë ende nuk ka një bust të Ademit ndërsa në Tiranë e mbulojmë për Bajram, Skëndon…

Një portal i famshëm shqiptar, e paralajmëroi paradën e Krenarisë, në Tiranë.

Me 28 nëntor. Të mos të keqkuptohemi, bëhet fjalë për krenarinë kombëtare. Disa e quajnë marsh e disa edhe pushtim të kryeqytetit. Deri tani, siç e dini, Shqipëria ka përjetuar mijëra vite nën pushtim të superfuqive të kohës, fuqive regjionale, fqinjëve. Me një fjalë nuk mbet kush pa na pushtuar, dhe fare pak kishte momente të lirisë.

Pushtuesit ndërroheshin, pasonin njëri tjetrin derisa erdhi mes nesh, Gjergji.

“E gjeta mes jush lirinë”, na tha dhe na dha vetëbesim.

Kjo na mbajti gjallë pesë shekuj. Pastaj erdhi Ismail Qemali. Nëse e llogarisim ndershmërisht,  nëntor çlirimtarë ishin vetëm dy edhe pse deri më tani janë brenduar  … tre. Këtë e vulosi filmi “Nëntori i tretë”.

Akademia nuk është ngatërruar në këtë çështje. Pastaj çka hyn në punë shkenca kur propaganda ngrohë gjoksin. “O sa mirë me qenë shqiptar”.

Kur u shpall pavarësia, thuhet se “elektorati” i sulltanit, bënë protesta dhe kërkuan rikthimin e perandorisë e cila asokohe po jepte shpirt në Bosfor.

Thuhet se Isai, i cili edhe sot fajësohet për vonesën në shpallje të pavarësisë, kësaj radhe nuk vonoi dhe i bindi ata se Shqipëria u takon shqiptarëve.  Me argumente i bindi. Kishte përdorur edhe “drurin” pak, por …ideologjia këtë argument ka.

Kështu edhe pse pjesa më e madhe e shqiptarëve mbetën jashtë kufijve, nëntori mbeti nëntor i çlirimit për të gjithë. Për shembull, Kosova edhe 88 vite e festoi çlirimin e Shqipërisë nën robëri. Por, prapë se prapë nëntori mbetet nëntor. Edhe pse sot shumica e bashkive shqiptare punojnë me kushtetuta të shteteve të tjera, nëntori është nëntor dhe u mblodhën të gjithë dhe e “kallën” … Tiranën.  Dasmat shqiptare e arrijnë  kulmin me këngën “Do ta kallim, do ta kallim, fitilin e llambës”.

Pra, numerikisht, ka dilema, nëse ishte nëntori i tretë apo jo. Sido që të ketë qenë, tani u paralajmërua i katërti. Pushtimi i Shqipërisë përfundimisht është paralajmëruar me 28 nëntor 2023, …nga shqiptarët.

Qëllimi i paradës është i qartë.  Aty do të përpiqemi të vendosim një linjë komunikimi në mes Skënderbeut dhe Adem Jasharit. Do të shkojmë nga sheshi në shesh. Nga Skendoja deri te Ademi, apo anasjelltas. Nuk është krejt pa rëndësi kahja, sepse kjo dërgon mesazh global se kah po shkojnë shqiptarët. Po nëse nisen nga Ademi? Kush do ti pres krushqit? Edi apo Erioni?

Pushtimi i Shqipërisë nga Shqiptarët

Dorën në zemër, edhe Ademi në Kosovë edhe Skendoja në Shqipëri në kohët moderne, të pasluftës, e kanë humbur luftën me qytetarinë.

Në Prishtinë ende nuk ka një bust të Ademit ndërsa në Tiranë e mbulojmë për Bajram, Skëndon…

Sido që të jetë, fati i mirë është që këtë vit 28-ta nuk i bie të jetë në një ditë me festën e Bajramit. Kjo mund ta vinte në siklet Skëndon. Nuk do të dihej kush mundet me e falë Bajramin as kush do ta “fal” 28 -ën. Duke qenë se “28 nëntori “ i bie gjithnjë me të njëjtën datë, Bajrami  i Madh (ose i vogli) një ditë edhe mund të bie në festën e pavarësisë. Deri atëherë nuk kemi pse marrim vendim se kush do ta “falë“ 28 nëntorin. Nëse ju duket imtësi, kujtojeni  luftën që u zhvillua në prapaskenë  se kush do ta lexoj deklaratën e pavarësisë së Kosovës. Por nuk quhet…nuk ka të bëjë me temën, Ishte me 17 shkurt.

Dilema ende mbetet politike: Rama apo Albini? Rama pret te këmbët e kalit “marrshin e gjatë” dhe krenar, ndërkaq Albini me flamur në dorë dhe plis në kokë i prinë paradës së krenarisë kombëtare. Rama natyrisht nuk e ka problem protokollin, pasi ai e priti gjithë Evropën, por ka dilema nëse do të bëjë “foton familjare” në fund të paradës?

Pra, me 28 nëntor në Tiranë u mbajt parada e krenarisë kombëtare.

Do të vijnë shqipet (dy)krenare nga i gjithë planeti, nga kudo ku ka shqiptarë, ku shkuan se kush nga zori e kush për një jetë më të mirë. Pavarësisht arsyes përse braktisën atdheun, të gjithë do të brohorasin së bashku “O sa mirë me qenë shqiptar “ o hej. Është paradë krenarie, Aleksandër, jo Shqipëri e Madhe!

Pushtimi i Shqipërisë nga Shqiptarët

Erdhën shqiptarët për ta mbuluar me flamuj kuq e zi, Tiranën. Mesazhi është i qartë: Nëse nuk e pushtojmë, iku Shqipëria në Evropë, e na la neve rrugëve të botës…