15:51 / E Martë, 26 Janar 2021 / A. M.

PZAP: LVV do të garojë me 5 kandidatë më pak për deputetë, partia e Kurtit do t’i drejtohet Supremes

Lëvizja Vetëvendosje do të garojë me 5 kandidatë më pak për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit përfshirë kryetarin e partisë, Albin Kurti – sipas një vendimi që e mori sot Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi Murtezi nuk do të mund të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ata nuk ka të drejtë t’i zëvendësojë askush, pasi PZAP-ja thotë se ka kaluar afati për këtë.

“Kandidatët për deputetë të cekur në pikën -I-, të dispozitivit të këtij vendimi, nuk mund të zevendesohen me kandidatë të tjerë”, thuhet në pikën e tretë të vendimit të PZAP-së.

Paneli ka vendosur se LVV-ja s’ka mundësi më t’i zëvendësojë pesë kandidatët e saj që ishin dënuar me aktgjykim të formës së prerë në tre vjetë e fundit, pasi këtë kanë mundur ta bënin deri më 21 janar, kur edhe është mbyllur afati.

Ndaj këtij vendimi, LVV-ja mund të ankohet në Gjykatën Supreme dhe ka 24 orë afat për ta bërë këtë.