15:21 / E Martë, 26 Janar 2021 / k.v

PZAP rrëzon ankesën e VV-së, Albin Kurti mbetet jashtë listës zgjedhore

Burimet e IndeksOnline brenda PZAP-së kanë bërë të ditur se ky organ e ka shqyrtuar ankesën e Vetëvendosjes dhe e konsideron të paligjshme ankesën e LVV-së lidhur me moscertifikimin e subjektit dhe kandidatëve për deputetë, të cilët janë dënuar për vepra penale në tre vjetët e fundit.

Vendimi për VV pritet të publikohet sot gjatë ditës.

“Ne sot jemi duke i publikuar të gjitha vendimet e ankimuara nga partitë për vendimet e KQZ-së. Pavarësisht shantazheve e presioneve që kanë ardhur nga palët ankuese, PZAP-ja po e kryen me profesionalizëm të plotë punën e vet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjeve në fuqi”, ka thënë burimi brenda PZAP-së.

PZAP-ja tashmë u ka kthyer përgjigje zyrtare disa partive minoritare që njësoj sikur Vetëvendosje janë ankuar për moscertifikim të listës zgjedhore pasi brenda tyre kishin persona të dënuar në tre vjetët e fundit.

Sipas vendimeve të PZAP-së, KQZ-ja ka respektuar me përpikëri vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjeve në fuqi.

Në bazë të këtij vendimi, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, nuk mund të kandidojë për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.