16:13 / E Martë, 23 Tetor 2018 / indeksADMonline

“Qeveria Haradinaj ka degraduar ekonominë e shtetit”

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se përgjatë kësaj kohe të qeverisjes, ekzekutivi ka sjell shumë skandale në vend. Sipas tyre, qeveria Haradinaj ka marrë vendime për sektorë strategjik të shtetit, e të cilat kanë ndikuar negativisht në ekonominë e vendit. Sipas Vetëvendosjes, pothuajse në të gjitha vendimet, Qeveria Haradinaj e ka degraduar ekonominë e shtetit.

Në një konferencë me gazetarë, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë folur për 400 ditë të qeverisë Haradinaj, kryesisht për ndikimet në ekonomi.

Nënkryetari i kësaj partie, Besnik Bislimi ka thënë se kanalet përmes së cilave ekzekutivi i shtetit ndërhyn në jetën ekonomike janë të shumtë. Sipas tij, qeveria merr vendime për sektorë strategjik të shtetit e të cilat ndikojnë në perfomancën e ndërmarrjeve shtetërore dhe agjencioneve të pavarura.             Sipas tij, qeveria Haradinaj ka shkelë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe ka shkatërruar konkurrencën.

Për situatën ekonomike në vend dhe mënyrën e punës së qeverisë Haradinaj, ka folur edhe Edison Jakurti, drejtues i sekretariatit për formim ideopolitik brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka përmendur 53 milionë euro që i janë dhënë kompanisë Bechtel Enka, që sipas tij, me atë shumë do të mund të investohej në ngritje të mirëqenies së qytetarëve. Në Vetëvendosje kanë thënë se kostoja e vazhdimit të kësaj qeverie është shumë e lartë, ndërkohë që kostoja oportune është shumë e çmuar për tu humbur.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, largimi i kësaj qeverie është minimumi i nevojshëm për ta kthyer Republikën në binare që qojnë drejt zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të mirëqenies sociale të qytetarëve.