Qeveria sot nxjerr vendim për fermerët e dëmtuar nga të reshurat
Në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, është miratuar në lexim të dytë projektligji për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kryesuesja e grupit punues për komplekset memorialë, Ganimete Musliu, ka thënë se projektligji është trajtuar mirë dhe janë plotësuar kushtet për procedim.
“Besoj se ai ligj ose ai projektligj tani i plotëson të gjitha kriteret dhe nuk kemi ndonjë vërejtje më, sepse e kemi trajtuar bukur mirë në disa seanca dhe kemi ftuar edhe ekspertë të fushës dhe iniciues të ligjit dhe gjithë të tjerë që të bashkëpunojmë dhe ta nxjerrim më të mirën të mundshme”, ka thënë Musliu.
Anëtari i Komisionit Salih Salihu ka ngritur për diskutim edhe çështjen dëmeve të shkaktuara në kulturat bujqësore në Rahovec dhe në vendet tjera nga moti jo i qëndrueshëm.
“Kohët e fundit është aktuale, që dëmet që janë shkaktuar nga shiu pa ndërprerë, sidomos për korrjet grurit, por edhe kultura të tjera janë dëmtuar shumë dhe Ministria përkatëse nuk ka mundësi me gjetur mjete për kompensim të dëmeve që janë shkaktuar. Unë propozoj që me shkuar në Shqipëri për një vizitë dhe me i kontaktuar kolegët atje me shikuar se si e kanë të rregulluar çështjen e kompensimit të dëmeve”, ka thënë Salihu.
Idenë e deputetit e Salihu për vizitën fermerëve në Rahovec e ka përkrahur edhe kryetari i këtij Komisioni Muharrem Nitaj, i cili paralajmëroi se sot Qeveria do të nxjerrë një vendim për dëmet në bujqësi.
“Me sa pash, qeveria e ka në diskutim sot marrjen e vendimit për dëmtimin për një pjesë të atyre që janë goditur nga breshëri në disa komuna të Kosovës kohëve të fundit. E kemi propozimin deputetit, Salihu që ta bëjmë një vizitë në Rahovec, unë po sugjeroj nëse kemi mundësi komplet Komisoni ta realizojmë një vizitë në Rahovec… Po të ishte realizua vizita më herët ndoshta do të mund të kishim dhënë një kontribut që edhe Qeveria ta ketë vendim më normal dhe në përputhje me nevojat e asaj zone”, theksoi Nitaj.
Mirëpo, kundër kësaj vizite ishte deputetja Ganimete Musliu, ngase sipas saj, është vonë dhe nuk asnjë ndikim pozitiv për fermerët e dëmtuar.
“Nuk e shoh si profitabile këtë vizitë tonën të mundshme gjatë kësaj jave në Rahovec, duke pasur parasysh se jemi shumë vonë, sepse Qeveria është në diskutim e sipër të kësaj teme, sot merr vendim dhe “ne po shkojmë në Rahovec post mortum” në këtë rast dhe nuk po shoh të arsyeshme me bërë një vizitë vec sa me shkuar me bërë një vizitë”, ka theksuar Musliu.
Komisioni po ashtu ka proceduar për në lexim të dytë edhe projektligjin për veprimtaritë hidrometeorologjike.