20:01 / E Diele, 04 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Qeveria tregon se kur do të vazhdojnë bisedimet Kosovë-Serbi

Me 16 janar pritej të fillonte raundi i ri i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, por vrasja e liderit të Iniciativës Qytetare serbe “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviq, bëri që këto bisedime të ndërpriten ende pa filluar, shkruan Indeksonline.

Pas vrasjes së tij, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, i cili edhe kryeson delegacionin serb në Bruksel, Marko Gjuriq ka thënë se

Serbia nuk do të bisedojë me Kosovën deri sa të zbardhet vrasja e Ivanoviqit.

Por, së fundi u mësua se ato do të vazhdojnë, ndonëse nuk ka një datë të saktë.

Kështu së paku thonë zyrtarë nga Qeveria e Kosovës.

Sipas tyre, bisedimet do të vazhdojnë së shpejti, por kjo varet nga agjenda e Brukselit.

“Bisedimet pritet të vazhdojnë së shpejti por që ende nuk mund të flitet për një datë të saktë, meqë kjo varet nga agjenda e Brukselit”, thuhet në përgjigjen e qeverisë.

Por, Indeksonline mëson nga burime brenda Qeverisë se bisedimet sipas gjasave do vazhdojnë në muajin shkurt, nëse gjithçka shkon sipas planifikimit.
Ivanoviq u vra para selisë së partisë së tij, mëngjesin e 16 janarit, ndërkaq vrasja e tij nxiti shumë reagime e debate./Indeksonline/