21:30 / E Hënë, 12 Qershor 2023 / L K

Rama për propozimin e Asociacionit: Rajoni është edhe i yni jo vetëm i Kosovës e Serbisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar edhe një herë tjetër në lidhje me komentet që shpëthyen në Kosovë pasi ua dorëzoi Francës dhe Gjermanisë një draft-statut për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Rama tha se ata që e kundërshtojnë propozimin, si në Prishtinë dhe ashtu në Beograd, janë komunistë në mendime.

Rama tha se këtë e ka bërë për të mirën e rajonit, pasi sipas tij “rajoni nuk është vetëm i tyre [Kosovës dhe Serbisë] por edhe i yni”.

“Mua më vjen mirë që përpjekja për të dhënë një kontribut konkret për dialogun dhe asociacionin është pritur mirë nga aleatët tanë ndërsa atyre që e kanë kundërshtuar as pa ditur as përmbajtjen, si në Prishtinë dhe Beograd duke thënë se as nuk e presin edhe as nuk duan të dëgjojnë për një propozim nga Shqipëria sepse sipas tyre, secila duhet ta bëjë vetë Asociacionin sipas mendjes së vet, unë u them dy gjëra”.

“Së pari, ata që flasin kështu jetojnë akoma me komunizmin në kokë kur politika merrej me kush e tha dhe jo me çfarë tha. Së dyti, vërtet janë ata që vendosin secili për vete por ky rajon nuk është vetëm i tyre por edhe i yni. Prandaj nëse atyre iu vjen akoma për mbarë të luajnë akoma luftash një çerek shekulli pasi lufta ka mbaruar ndërkohë që as njëra palë edhe as tjetra s’i hapin dot njëra-tjetrës jo luftë por asnjë të shtënë që kapërcen kufijtë sepse aty është Amerikë, NATO dhe aleatëve tanë po u soset durimi sepse po kërkojnë paqe, unë u them se ne jemi të interesuar për atë lojë luftash por jemi kundër asaj loje”, tha Rama gjatë fjalimit në 32-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste.

Sa i përket marrëdhënies me kryeministrin Kurti, Rama tha se kanë qëllime të njëjta por ndjekin rrugë të ndryshme.