75 Mall Live Search
17:21 / E Diele, 19 Mars 2023 / AR

Ramiz Lladrovci: Vetëqeverisje apo vet menaxhim është baras me vetëmashtrim

Opinion nga Ramiz Lladrovci

Nga e thëna në të bërë, është në mes një mal i tërë, kjo fjalë e popullit pasqyron atë që ka thënë e propaganduar ndër vite Kryeministri Kurti dhe eksponentët e tij.

Me Amerikën ishim edhe atëherë kur nuk e kishim përkrahjen në fillimet e UÇK-së, me Amerikën ishim edhe kur u bë Marrëveshja e Rambujesë të cilën disa e quanin “tradhti”, me amerikanët ishim gjatë bombardimeve, me amerikanët ishim kur filluam shtetformimin e shtetndërtimin, çarmatosjen e UÇK-së dhe krijimin e TMK-së, FSK-së dhe Ushtrinë e Kosovës, kur e pranuam flamurin pa ngjyrat kuq e zi e himnin pa tekst, me Amerikën ishim kur u shpall Pavarësia e Kosovës.

Me Amerikën ishim kur u pranua Pakoja e Ahtisaarit, kur filloi dhe u soll vendimi i GjND-së për Pavarësinë, kur filluan bisedimet dhe u arrit marrëveshja e vitit 2013 dhe 2015. Ashtu sikur jemi sot, me Amerikën, kur thotë se Marrëveshja 11 pikëshe nuk e dëmton shtetin tonë dhe aneksi duhet pranuar dhe do të qëndrojnë pranë nesh.

Por, nuk ishin me Amerikën ata që e emërtonin tradhti tërë ecjen tonë bashkë me Amerikën dhe aleatët nga BE-ja dhe NATO-ja, nga robëria në liri, nga okupimi në çlirim. Nuk ishin me Amerikën ata që u përgatitën “të luftonin” me Serbinë me trupat e NATO-s. Ata Amerikën e zbuluan kur e lexuan Kushtetutën se nuk e lejon bashkimin me Shqipërinë, se s’mund ta ndryshojnë as flamurin as himnin dhe siguria e shtetit të Kosovës, nuk është në duart e atyre që tash së voni e zbuluan Amerikën.

Ne jemi të njëjtit që çmojmë dhe duam Amerikën, edhe pas Marrëveshjes me Anekse të dhimbshme për Kosovën, por, kanë ndryshuar karakter e fytyrë ata që ishin kundër vendimeve të mëdha të përkrahura nga Amerika për mbi dy dekada. 

Ishin dhe janë kundër Amerikës ata që ia ndalën Kosovës rriten për mbi dhjetë vjet, me mashtrime. Ne jemi të njëjtit. Marrëveshja duhej bërë, por, jo kaq e dëmshme sa kjo që u bë. Marrëveshja tejkaloi pritjet më pesimiste dhe siguron praninë e Serbisë në Kosovë. Serbët fituan vetëmenaxhim (është më shumë se vetadministrim, sepse, përfshinë tërë veprimtarinë e gjithanshme shoqërore, politike e ekonomike, përkundrejt Marrëveshjes së vitit 2013 që ofronte Asociacion për komunat me shumicë serbe pa kompetenca ekzekutive dhe në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës).

Kosova menjëherë i pranoi dy barrë të reja, përpilimi i dokumenteve për vetëmenaxhimin e serbëve dhe Statusin Special për Kishën Ortodokse Serbe.

Kosova e getoizuar dha shumë më tepër se sa që jepte Marrëveshja e vitit 2013 e 2015.

Mbrëmë, nga Kryeministri fare nuk u përmendën shqiptarët e Luginës së Preshevës, por as mikpritësi Ali Ahmeti. Presidenti Pendarovski e kryeministri Kovaçevski janë udhëheqës që i kanë ato dy karrige falë Ali Ahmetit. Ky ishte edhe një minimizim i qëllimshëm i historisë së re në Maqedoninë e Veriut e më gjerë.

Dje u bë çka u bë, vetëm histori e ndritur nuk është. Krejt çka është sharë për 15 vjet nga Kryeministri, dje morën udhë të panjohur dhe të gjitha premtimet e mëhershme ranë në ujë. Por, sot, duke mbaruar një epokë e mashtrimit, fillon një epokë e re, me mjaftë sfida, për largim të ndikimit të politikës serbe dhe qeverisjes serbe në Republikën e Kosovës!

Vetëqeverisje apo vet menaxhim është baras me vetëmashtrim, por, mashtrimet nuk kalojnë!