17:58 / E Enjte, 04 Janar 2018 / indeksADMonline

Ramush Haradinaj tregon muajin kur do të mbahet mbledhja e përbashkët me Maqedoninë

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka njoftuar kabinetin qeveritar për formimin e një Grupi Punues prej 11 anëtarësh që të përgatisë planin e veprimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ai ka thënë se janë në vazhdën e përpjekjeve dhe punëve për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, dhe sipas tij, punët në këtë drejtim po shkojnë mirë.

“Njëra ndër prioritetet e mia është edhe fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat e ndryshme rajonal, evropiane, botërore. Një hap shumë i vlefshëm për ne është edhe fillimi i procesit të anëtarësimit të shtetit tonë në Këshillin e Evropës. Pikërisht për këtë qëllim siç e thash më lart, në dhjetor unë kam krijuar një Grup Punues prej 11 anëtarësh, ku janë përfshirë pos njerëzve të MPJ edhe ekspert dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, të cilët janë duke punuar intensivit për këtë. Ky Grup Punues është i autorizuar që të përgatisë një plan të veprimit për masat që duhet të ndërmerren nga të gjithë akterët relevantë shtetërorë përkitazi me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë Pacolli.

Ai ka thënë se në bazë të dinamikës së punës, në një afat shumë të shpejt Kosova do të dorëzojë edhe zyrtarisht aplikimin për të qenë pjesë e këtij mekanizmi ndërkombëtar.

Mirëpo, Pacolli ka thënë se për të pasur sukses në këtë rrugëtim, kërkohet edhe bashkërendim të detyrimeve për të respektuar liritë e të drejtave të njeriut, në këtë rast qytetarëve të Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar lart këtë proces për Këshillin e Evropës dhe për Interpol, për të cilin ka thënë se kërkon shumë angazhim. Ai po ashtu ka paralajmëruar edhe mbajtjen e një mbledhje të Qeverisë së përbashkët me Maqedoninë diku në shkurt.

“Kjo është një nismë e rëndësishme, por që kërkon shumë angazhim, për këtë ja vlen me pasur edhe kontributin e zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, ishte edhe ai i interesuar me ndihmuar këtë proces njëkohësisht edhe për Interpol jeni në dijeni për shkëmbimin e shkresave që kanë ndodhur në mes drejtorit të përgjithshëm, mua dhe në këtë koordinim dua ta lus Zyrën tim që çdo gjë që na adresohet ta bartim te ju, për shkak se veç ashtu do të jemi të koordinuar ngase janë projekte shumë serioze dhe kërkojnë që të jemi të gjithë bashkë. Ju e dini që kemi kërkuar zëvendës kryeministrit Hoxha për përgatitjen e mbledhjeve të përbashkëta në mes Kosovës dhe Maqedonisë, me siguri se do ta kemi në perspektivë dhe është menduar të ndodhë diku nga shkurti”, ka thënë Haradinaj.

Qeveria e Kosovës miratoi sot Planin e veprimit për rritjen e punësimit të të rinjve 2018-2020, i cili synon rritjen e punësimit të të rinjve, zhvillimin e ndërmarrësisë, harmonizimin e arsimit me tregun e punës dhe ngritjen e cilësisë së arsimimit praktik të të rinjve.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar nisma për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare në fushën e shëndetësisë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Japonisë.

Me qëllim të realizimit të programit të zhvillimit ekonomik dhe social në Republikën e Kosovës, Qeveria e Japonisë do të ndajë një grant në vlerën prej 150 milionë jenë japonezë (rreth 1.1 milion euro). Mjetet do të përdoren për blerjen e pajisjeve mjekësore dhe mirëmbajtjen e tyre.

Qeveria miratoi edhe vendimin përfundimtar për shpronësimin për interes publik, të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga ndërtimi i rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë, të cilat gjenden në zonën kadastrale Stanovc i Epërm në komunën e Vushtrrisë.

Po ashtu, ekzekutivi miratoi edhe vendimin preliminar për shpronësimin e pronave të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, të cilat gjenden ne zonat kadastrale Doganaj, Soponicë, Rekë, Nikaj, Biqec, Koxhaj, Gajre, Gjurgjidell, Kaçanik, Kaçanik i Vjetër të Komunës së Kaçanikut dhe në zonat kadastrale Paldenicë dhe Pustenik të komunës Hani i Elezit.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Rregulloren për kthimin e personave të zhvendosur dhe zgjidhje të qëndrueshme.

Rregullorja krijon kushtet e nevojshme për arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për personat e zhvendosur brenda Kosovës dhe në rajon, në periudhën nga 28 shkurti 1998 deri më 31 mars 2014. Aty  përcaktohen përgjegjësitë e organeve kompetente dhe vendimmarrëse, si dhe procedurat dhe kriteret për asistencë.

Qeveria me vendim ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës për të nisur negociatat për lidhjen e marrëveshjes për shërbime të transportit ajror në mes të Kosovës dhe Britanisë së Madhe.

Me kërkesë të ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është aprovuar vendimi që t’i rekomandohet presidentit të autorizojë Marrëveshjen e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Turqisë.