12:45 / E Mërkurë, 27 Janar 2021 / OSH

Ramush Tahiri thotë se Supremja do të marrë vendim të njëjtë si PZAP për Kurtin e të tjerët

Një ditë pasi që  Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), vendosi që të mos certifikonte 47 deputetët të cilët më parë ishin refuzuar nga KQZ-ja, Vetëvendosje nuk ka në plan që të përfillë këtë vendim, duke kundërshtuar sërish që 5 kandidatët e saj të mos jenë pjesë e listës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Tani kur rasti pritet të përfundojë në Gjykatën Supreme, analisti politik Ramush Tahiri në një prononcim për IndeksOnlinen ka thënë se Vetëvendosje duhet të respektojë ligjet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe se duhet sillet konform tyre.

“Vetëvendosje duhet të jetë një lëvizje politike e përgjegjshme, e cila respekton ligjin dhe Kushtetutën, ajo duhet të ndjekë të gjitha procedurat ligjore, për me fitu të drejtën e saj që ajo mendon që e ka e unë mendoj që nuk e ka. Ata juristët e saj po mendojnë që u është bërë e padrejtë që i janë hequr nga lista pesë kandidatët e saj”, theksoi Tahiri.

Ai ka shprehur qëndrimin, duke thënë se nuk pret që Gjykata Supreme të marrë një vendim të ndryshëm nga ai që ka dhënë Gjykata Kushtetuese e cila shprehimisht ka thënë se në procesin zgjedhor nuk mundet të marrë pjesë asnjë kandidat, i cili ka në tre vjetët e fundit është i dënuar për vepër penale.

“Konsideroj se Gjykata Supreme, do të marrë vendim të njëjtë sikurse Kushtetuesja”, tha Tahiri.

Mirëpo kjo nuk do ta ndalë sipas Tahirit Vetëvendosjen. Sipas tij partia e Kurtit do ta dërgojë lëndën në Gjykatën Kushtetuese, por se nuk pret që një vendim të merret shpejt.

Tahiri ka shtuar se pret që listat e partive politike me 47 kandidatët për deputet që tashmë nuk po u lejohet të marrin pjesë në zgjedhje.

Tahiri ka thënë se Vetëvendosje e ka obligim që ta dërgojë listën e re me deputetë dhe se sipas tij nuk është e mundur teknikisht që të mbesin vendet bosh në këto lista.

“VV-ja e ka obligim ta çojë listën e re për të votuar qytetarët, tashti a do të jetë lista e zbrazët, teknikisht ma merr mendja se jo sepse lista duhet të ketë renditjen, po e  shoh se analistët po thonë se munden me mbet vendet e zbrazëta, por unë nuk mendoj që kjo mund të ndodhë. Vetëvendosje duhet të dërgojë listën, sepse në të kundërtën konsideroj se rrezikon të mos certifikohet. Meqë kjo i bie se nuk i plotëson kushtetet e kërkuara”, nënvizoi Tahiri.

Ndërsa Vetëvendosje sot pritet ta dërgojë në Supreme, ankesën e saj, në lidhje me vendimin e PZAP-së për të mos i certifikuar 5 kandidatët e saj në mesin e tyre edhe liderin e saj Albin Kurti.