12:09 / E Diele, 09 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Rasti i dy fëmijëve të mbytur në Kolovicë ende në mjegull

Kanë kaluar dy vjet e gjysmë, që kur në lagjen Kolovica në Prishtinë, kishin humbur jetën dy fëmijë në një gropë të hapur në këtë vend.

Që nga ajo kohë, ani pse janë gjashtë kallëzime penale, përfshirë këtu edhe ndaj zyrtarëve komunalë dhe ndaj një kompanie ndërtimore  nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore. Madje, babai i tyre kishte paraqitur edhe një shkresë, për përshpejtim të rastit, mirëpo një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

Ndërkohë, Avokati i Popullit thotë se një rast i tillë do të duhej të zgjidhej, në një afat kohor prej një vit e gjysmë.

Florenta dhe Florenti, ditën e 23 qershorit, para dy viteve, dolën për herë të fundit nga shtëpia. Ata nuk i kthyen më te prindërit e tyre pasi që u mbytën në një gropë e cila ishte lënë e hapur.

Duke mos u kthyer më. Që nga ajo kohë, nuk kalon ditë që babai i tyre  Muhamet Mramori, nuk shkon në vendin ku kanë humbur jetën, duke u munduar ta heq mallin për ta.

Para dy vite e gjysmë, vëlla e motër, njëri i moshës 11 e tjetri 13 vjeçare e , kishin humbur jetën në mënyrë tragjike në një  gropë të hapur kohë më parë në lagjen Kolovica të Prishtinës. Derisa, për Muhametin dhimbja është ende e freskët, ai i lutet Zotit, që ajo që i ka ndodhur atij të mos i ndodh askujt në botë.

Ai ka treguar, se ani pse i kishin premtuar mbështetje institucionet shtetërore, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur asnjëherë.

Madje, ai tregon se  janë paraqitur gjashtë kallëzime penale, megjithatë, rasti i fëmijëve të tij, ka mbetur aty ku ka qenë.

Muhameti ka rrëfyer se dhimbjen ia shton edhe më tepër neglizhenca e institucioneve shtetërore.

Mramori druan se fakti që në këtë rast janë të përfshirë edhe zyrtarë shtetërorë, ky rast është zvarritur tash e sa kohë.

Se ky rast po zvarritet  nga institucionet e vendit, thotë edhe avokati i familjes Mramori, Skender Musa. Madje si i tillë tashmë ka kaluar  në Departamentin e Përgjithshëm. Sipas tij një gjë e tillë nuk do të duhej të ndodhte.

Muhamet Mramori, kishte paraqitur edhe një shkresë për t’u takuar me zyrtarë të Prokurorisë së Shtetit, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Zëdhënësi i Prokurorisë  së Shtetit, Ekrem Lutfiu, nuk iu është përgjigjur pyetjeve për këtë rast.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka thënë për KosovaPress, se ky rast  do të duhej të zgjidhej më së shumti për një vit e gjymsë, në të kundërtën është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Derisa, institucionet e vendit të fillojnë ta marrin seriozisht këtë rast, lutja e vetme e Muhamet Mramorit, është që të vendoset drejtësia për dy fëmijët e humbur tragjikisht.