21:08 / E Martë, 06 Mars 2018 / indeksADMonline

Ratifikimi i demarkacionit nuk garanton lëvizje të lirë

Në mungesë të numrit të nevojshëm të votave, seanca e demarkacionit me Malin e Zi u ndërpre të mërkurën e kaluar për një ditë të pacaktuar.

Ndonëse sipas burimeve të Indeksonline, votat për të kaluar këtë marrëveshje janë siguruar, kuvendi akoma nuk ka njoftuar se kur deputetët do të thirren për të votuar ratifikimin e demarkacionit.

Por, nëse kjo marrëveshje nuk ratifikohet në fillim të muajit mars, kur edhe pritet që Këshilli i Evropës të mbaj mbledhjen e radhës, atëherë ka rrezik që liberalizimi i vizave mos të bëhet  as në 2018-tën.

Avni Mazreku, njohës i Integrimeve Evropiane ka thënë për Indeksonline se vendosja e demarkacionit si kriter për liberalizim të vizave, ishte një padrejtësi.

Sipas tij, edhe me kalimin e demarkacionit, nuk garantohet menjëherë lëvizja e lirë.

“Çështja e Demarkacionit është vendosur si kriter i padrejtë. Megjithatë ky kriter nuk nënkupton në momentin kur të plotësohet se Kosova përfiton automatikisht kriterin për liberalizim të vizave. Por, nënkupton zhbllokimin e këtij procesi për heqjen e vizave. Nuk është i vendosur si kriter për anëtarësimin në BE. Mirëpo, ndërtimi i marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore duket të jetë politikë e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe zgjidhja e këtyre problemeve do i ndihmojë Kosovës për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Mazreku.

Ai ka treguar se si do të rrjedh procesi i liberalizimit të vizave nga momenti i ratifikimit, mbledhjet e KE-së, votat e shteteve anëtare etj.

“Në momentin kur ratifikohet marrëveshja për demarkimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, procesi për liberalizim të vizave zhbllokohet sepse aktualisht është i bllokuar. Vendimi merret në Këshillin e BE-së përkatësisht konfiguracionit të Ministrave të Brendshëm që bëhet përmes sistemit të votimit të shumicës së kualifikuar. Kjo nënkupton, pro këtij vendimi duhet me votu 55 shtete anëtare që përfaqësojnë 65% të popullsisë e që nënkupton 16 shtete anëtare që duhet me kanë në favor të këtij vendimi që përfaqësojnë 65 % të popullsisë së BE-së”, ka shtuar Mazreku.

E në qoftë se ndodhë kështu, sipas tij vendimi mund të konsiderohet i marr nëse nuk vendosin 4 shtetet prapë edhe pse kanë votuar për këtë punë me heqë dorë me injorancën bllokuese.

Për rrezikun e mosratifikimit të demarkacionit në këtë muaj, ka folur edhe njohësi tjetër i çështjeve të Integrimeve Evropiane, profesor në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti.

Ai ka thënë për Indeksonline se nëse nuk përshpejtohen hapat për përmbushjen e kritereve, e keqja do të bëhej edhe më e madhe.

“E keqja do të bëhej më e madhe nëse nuk përshpejtohen hapat për përmbushjen e kritereve sepse në vitin e ardhshëm mbahen zgjedhjet për institucionet e BE-së dhe nëse neve na dështon ose na prolongojnë, dhe nëse ne nuk mund ta zëmë hapin me kalendarin e punës së këtyre institucioneve, atëherë kam frikë se mbase fundi i vitit 2019, madje edhe viti 2020, do na gjejë të izoluar”, ka thënë Hoti.

Kujtojmë se të mërkurën e kaluar, disa deputetë  të Kuvendit të Kosovës u mblodhën për të mbajtur seancën plenare të Kuvendit, por munguan disa të koalicionit qeverisës, të cilët ishin për vizitë në Mal të Zi.

Atë ditë, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, mbajtën një takim me deputetët e Listës Serbe, për të cilët raportohej se do të votojnë kundër demarkacionit me Malin e Zi. /Indeksonline/