09:38 / E Mërkurë, 06 Mars 2019 / indeksADMonline

Reagon edhe Pogba pas lajmit për zënkën me Lukakun

Paul Pogba iu bashkua Romelu Lukakus në tentimin për t’i mohuar spekulimet se ka ndodhur një përleshje mes dy futbollistëve të Manchester Unitedit, pas fitores kundër Southamptonit, me rezultat 3:2. Sipas The Sun, zënka ndodhi për shkak të penalltisë që mesfushori francez e humbi në minutat shtesë të lojës.

The Sun kishte raportuar se Pogba, i cili i gjuan gjithmonë penalltitë për “Djajtë e kuq”, insistoi që ta bëjë këtë gjë edhe në atë ndeshje, përkundër që Lukaku e kishte mundësinë për ta kompletuar het-trikun e tij, transmeton Gazeta Express.

Lukaku ishte zemëruar me francezin pasi që besonte se i kishte ndihmuar Pogbas gjatë kohës sa trajner kishte qenë Jose Mourinho. Për këtë arsye, ai mendonte se e meritonte që Pogba t’ia jepte mundësinë për ta gjuajtur penalltinë.

Trajneri në detyrë, Ole Gunnar Solskjaer, u detyrua të ndërhyjë mes dy miqve të mirë,  për ta qetësuar gjendjen në zhveshtore, sipas The Sun. Megjithatë, Lukaku i mohoi këto spekulime menjëherë, e tani të njëjtën e ka bërë edhe Pogba.

“Kur urrejtja nuk kryen punë, ata fillojnë të tregojnë gënjeshtra…”, shkroi Lukaku.

“Hahahahaha njerëzit janë shumë qesharakë, vëlla”, ia ktheu Pogba.

Manchester Unitedi ishte duke pësuar disfatë në ndeshjen e së shtunës,
në kuadër të Premierligës, në Old Trafford, në pjesën e parë. Por, “Djajtë e kuq” u treguan më të mirë në pjesën e dytë të ndeshjes, pasi që Andreas Pereira dhe Romelu Lukaku e shënuan nga një gol brenda gjashtë minutave.

Rezultati u barazua përsëri në minutën e 75-të përmes golit të shënuar nga James Ward-Prowse. Mirëpo, në minutën e 88-të, Lukaku e shënoi edhe golin e tij të dytë për këtë ndeshje. Paul Pogba gaboi nga penalltia në minutat shtesë të lojës, duke bërë kështu që ndeshja të përfundojë me rezultat 3:2.

Këto tri pikë janë mjaft të rëndësishme për skuadrën e Ole Gunnar Solskjaer, pasi që tani ata ngrihen në pozitën e katërt në tabelën e Premierligës, pas barazimit të Arsenalit kundër Tottenhamit./Indeksonline/