21:52 / E Diele, 09 Shtator 2018

Reagon Policia ndaj mediave serbe, Bullatoviqit nuk ia thyem dorën

Policia e Kosovës ka reaguar ndaj një shkrimi në mediat serbe, të cilët kanë shkruar se “Policia e Kosovës ia kanë thyer dorën e majtë kryetarit të Nishit, Bullatoviq”.

Sipas sqarimit të Policisë, mbrëmë rreth orës 01:00 pas mesnate, kryetari i Nishit në pikëkalimin kufitar në Merdare kishte tejkaluar kolonën. Me këtë rast zyrtarët policorë kanë ndaluar automjetin e tij dhe e kanë urdhëruar të kthehet prapa. Sipas tyre, i nëjti ka refuzuar një gjë të tillë dhe për këtë policia e kanë arrestuar pa ditur për identitetin e tij.

Pas pagesës së dënimit, policia ka thënë se e kanë liruar kryetarin e Nishit, mirëpo gjatë kësaj kohe nuk është raportuar se i njëjti ka pësuar ndonjë lëndim.

Për këtë, ai i quan spekulime ato që po qarkullojnë nëpër mediat serbe, se kinse atij i është thyer dora gjatë kësaj kohe, shkruan Indeksonline.

Ky është reagimi i policisë:

Lidhur me shkrimin e publikuar sot në mediumin serb kurir.rs me titull ” Kryetari i Nishit i lenduar rëndë në Kosovë, Policia e Kosovës Bulatoviçit i ka thyer dorën e majtë”

Policia e Kosovës informon dhe sqaron se:

Mbrëmë rreth orës 01:00 pas mesnate kryetari i Nishit në dalje të RKS ne pikëkalimin kufitar Merdare, ka tejkaluar kolonën në pritje. Zyrtarët policor që kanë qenë në mbarëvajtje të rregullit të kolonës, të njëjtin e kanë ndal dhe ai ka refuzuar fillimisht të kthehet mbrapa. Pas kundërshtimit të serishëm të tij për tu kthyer në kolonë, zyrtarët policor kanë intervenuar dhe e kanë prangosur të njëjtin pa e ditur identitetin e tij. Sipas procedurave të parapara është njoftuar Prokurori i cili ka urdhëruar që i njëjti të dërgohet në gjykatë me procedurë të përshpejtuar. Atij i është shqiptuar dënimi prej 150 euro nga gjykata, ku i njëjti ka bërë pagesën dhe është liruar. Nuk është raportuar që i njëjti të ketë pasur ndonjë lëndim. Rasti është trajtuar nga stacioni kompetent policor në Podujevë konform procedurave ligjore. Ndërsa të gjitha informacionet tjera duke përfshirë edhe ato në mediumin serb kurir.rs janë spekulime dhe nuk qëndrojnë.

Bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore, në funksion të zbatimit të ligjit Policia ndërmerr veprime operacionale në funksion të realizimit të objektivave të saj.

Për arritjen e këtyre objektivave Policia është e autorizuar sipas ligjit që konform situatës të zbatoj dhe aplikoj procedura standarde të operimit.

Megjithatë, sikurse edhe herëve tjera Policia e Kosovës pas vlerësimeve të nevojshme do të trajtoj dhe analizoj të gjitha veprimet e zyrtareve policorë, duke përfshirë edhe shqyrtimin e raporteve zyrtare.

Policia pas shqyrtimit dhe analizimit të të gjitha raporteve zyrtare dhe veprimeve të zyrtarëve policor, varësisht nga të gjeturat dhe rezultatet e dala, do të ndërmerr veprime adekuate konform autorizimeve ligjore.

Prandaj, ju rikonfirmojmë që Policia e Kosovës është e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe është transparente për ofrimin e të gjitha informacioneve relevante për opinionin dhe mediat e që kanë të bëjnë me aktivitete policore dhe respektimin e të drejtave njerëzore në përgjithësi./Indeksonline/

 

Mos i humb